Njeriu me kartelë organizon protestë për vendosjen e TVSH-së biznesit të vogël

Punonjësit e administratës dhe institucioneve të tjera private që i shërbejnë Ramës kanë urdhëruar dje me ultimatum punonjësit e tyre që të lënë zyrat dhe të dalin në një protestë të stisur nga Rama me qëllim mbrojtjen e vendimit të qeverisë për rritjen e taksës ndaj biznesit të vogël.
Njeriu me kartelë në krye të qeverisë është në gjendje të rëndë. Për të parën herë në histori organizon një protestë në vendosje të TVSH për 80 mijë bizneset e vogla. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Sot, qeveria ka mbledhur administratën dhe i ka nxjerrë në rrugë kundër popullit. Duket që kjo është një protestë nën kujdesin e qeverisë dhe policisë për të justifikuar vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, taksë që prek mbi 500 mijë familje shqiptare.
“Protestuesit” kundër informalitetit janë ata që vjedhin taksat e shqiptarëve çdo ditë, janë administratë e mbushur me militantë që sot janë urdhëruar të bëjnë këtë marshim të shëmtuar për të justifikuar vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël.
Nga Tatimet dhe Doganat, tek ministritë e të gjitha institucionet me radhë, e sidomos edhe nga subjektet private pranë Ramës kanë nxjerrë me dhunë punonjësit në protestë.
Sipas denoncimeve të vet punonjësve të administratës, bëhet e ditur se fushata ndaj kësaj proteste ka nisur prej disa ditësh. Madje sipas tyre, nga zyra qendrore e Kryeministrisë është lëshuar një urdhër sipas të cilit administrata duhet të angazhohej ditë para për këtë protestë, duke u përfshirë në pastrime dhe shpërndarje të njoftimit të protestës në rrjetet sociale, personale të secilit punonjës.
Ndërkohë një mesazh i përpiluar dhe i gatshëm është dërguar nga çdo drejtori e institucioneve publike me porosi të veçantë të drejtuesit apo titullarit për të nxjerrë punonjësit nga zyra.
Ndërkohë edhe bizneset e mëdha të ngritura në protestë janë kërcënuar nga Rama për mbyllje apo cënim të aktiviteteve të tyre në rast se nuk do të dilnin në protestën e organizuar prej tij.
Kjo është dëshmia e gjallë se si sot Rama po qeveris vendin, duke u përpjekur për të krijuar edhe situata të tilla të pazakonta e të padëgjuara më parë, duke tentuar të krijojë konflikte artificiale mes grupeve të interesit siç është në këtë rast biznesi i vogël e i madh, duke tentuar që të mbulojë qëllimet e tij për të zhvatur të vegjëlit e për të mbuluar me paratë e tyre gropat e vjedhjeve të të mëdhenjve në bashkëpunim me vet pushtetin.

Bllofi me stisjen e aplikimit të TVSH për të taksuar bizneset e vogla

Administrata shtetërore nuk ka infrastrukturën e duhur për të përfshirë në TVSH dhe biznesin e vogël. Ky shqetësim u ngrit gjatë një diskutimi me drejtoren e Tatimpaguesve të Mëdhenj me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Drejtorja e Tatimeve sqaroi se kjo çështje është ende në diskutim dhe nuk ka draft përfundimtar. Përsa i përket aksionit anti-informalitet, Pipa premtoi më pak kontrolle nga tatimorët. Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH nuk është e studiuar. Eksperti për politikat fiskale pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ngriti si shqetësim faktin, se kjo nismë do të sjellë kosto për biznesin e vogël në një kohë që Administrata Tatimore nuk është ende gati. “Për fushatën e biznesit të vogël dhe përfshirjen e TVSH kemi qenë nga të parët, kemi dy vjet që ia kemi propozuar me shkrim Ministrisë së Financave që të bëhet. Kjo nuk është as bashkëpunim me binzesin, as marrje mendimi dhe as platformë konstruktive. E tha Kryeministri dhe kemi gjithë këto ditë që ne nuk e dimë asnjëri do të ketë një prag, do përfshihen këta, ka përjashtime apo nuk ka përjashtime? Ai tha të gjithë, që në fillim. Ju vazhdoni dhe po diskutoni do ketë një prag, do jetë 2 milionë. Tani po diskutohet teknikisht dhe ne nuk e dimë”, thotë Bendo.