Ballina Politikë Noka: Në Parlament po i bëhet atentat demokracisë

Noka: Në Parlament po i bëhet atentat demokracisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka është paraqitur pasditen e djeshme në mbledhjen e Byrosë parlamentare në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku ka paraqitur pretendimet e tij për qëndrimin e djeshëm në Parlament. Në mbledhjen e djeshme të Byrosë diskutohej kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin me 10 ditë të deputetit Flamur Noka nga punimet e Kuvendit. Pasi la ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputeti Flamur Noka tha para mediave se ai nuk ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, por sipas tij ka qenë kryeministri Rama ai që ka folur me fjalor rruge. “Turpi i këtij Parlamenti sot është të përjashtosh një deputet pse kërkon fjalën për procedurë dhe institucion për një të drejtë të tij, sipas rregullores. Neni 49, pika një e Rregullores së Kuvendit, thotë se kur një deputet kërkon fjalën për procedurë, ajo jepet menjëherë. Ju e patë që deputeti Noka kërkoi fjalën për procedurë, as më pak as më shumë, e vetmja gjë që bëra tepër është që insistova. Dëgjova një kryeministër në sallë që fliste me një zhargon rruge. Kërkova fjalën për procedurë që t’i kërkoja kreut të Kuvendit që t’i tërhiqte vëmendjen kryeministrit të mos fliste me zhargon rruge, ndërsa ai në vend që ta bënte këtë, përjashtoi deputetin.
Këtë që po e them tani ia paraqita me zë e figurë para Byrosë parlamentare”, u shpreh Noka.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka folur për qëndrimin e mbajtur ndaj tij në seancën e djeshme plenare nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në dalje të Parlamentit, pas mbylljes së punëve të Kuvendit, për shkak të përjashtimit të deputetit Noka, ky i fundit thotë se, “ky është një atentat që i bëhet demokracisë dhe fjalës së lirë”. “Ato komente që kam patur për të bërë, i kam bërë. Këtu është atentat ndaj demokracisë. Kanë vënë në krye të Kuvendit ministrin e Sigurimit për t’i mbyllur gojën opozitës”, u shpreh Noka. Në seancën e djeshme plenare, pas bllokimit të foltores së Kuvendit nga deputetët demokratë, kryeparlamentari Ruçi vendosi përjashtimin e deputetit Flamur Noka. Pas kësaj u ndërpre seanca për të rifilluar në orën 17:00. Por edhe rifillimi i seancës plenare, e gjeti deputetin Noka të ulur në ndenjësen e tij, duke mos pranuar të lërë sallën e Kuvendit. Kjo bëri që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi të vendosë sërish ndërprerjen e seancës, duke e shtyrë për ditën e sotme.

Exit mobile version