Kaka: Nuk rinovoj më me Orlando. Dua sfida të reja

Major League Soccer mund të humbasë një tjetër yll. Pas lamtumirës së Andrea Pirlo, i cili në dhjetor do të përfundojë aventurën e tij në SHBA, Ricardo Kaka bëri të ditur se nuk do të rinovojë kontratën e tij me Orlando City. Në fakt nuk pritet që braziliani të tërhiqet nga sporti i luajtur, por për momentin asgjë nuk mund të përjashtohet.
“Ndjej që kam nevojë për sfida të reja”, shpjegoi 35-vjeçari në konferencë për shtyp, duke lënë të kuptohet dëshirën për të vazhduar futbollin aktiv. “Në këto dy muaj jam menduar shumë dhe vendimi im përfundimtar është të mos rinovoj me Orlando City. Cikli im në këtë klub do të përfundojë me mbarimin e këtij sezoni. Falenderoj të gjithë ata që ishin pjesë e këtij projekti, ku kam kaluar 3 vite të bukura”.
Më pas vijnë fjalët, të cilat përjashtojnë dëshirën e Kaka për të “varur këpucët në gozhdë” – “Deklarata e sotme është vetëm për këtë. Vendimi im për momentin është mosrinovimi i kontratës. Asgjë më shumë”, theksoi 35-vjeçari.
Ndërkohë, ish-lojtari i Milanit, George Weah i është futur politikës dhe është drejt zgjedhjes President të Liberisë. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, raportimet nga Liberia thonë se ai ka fituar zgjedhjet ndaj rivalit Joseph Boakai dhe zyrtarizimi pritet të bëhet gjatë pasdites. Për 12 vite me radhë, Liberia drejtohej nga Ellen Johnson-Sirleaf, ish-fituese e çmimit Nobel për Paqe. Kjo është hera e tretë që Weah kandidon për postin e Presidentit të Liberisë, ndërsa këtë gjë e kishte bërë edhe në vitet 2005 dhe 2011, por kishte humbur. Këtë herë fitorja duket e sigurt dhe ish-shokët e liberianit te Milani nuk kanë humbur kohë dhe e kanë uruar.