Dorëzohet Wenger

Arsene Wenger deklaron se mundësia e largimit në janar për Alexis Sanchez dhe Mesut Ozil është konkrete. Të dy lojtarët kanë kontrata me prag skadence fundin e këtij sezoni në stadiumin “Emirates” dhe shumë prej klubeve europiane janë duke monitoruar situatën e tyre. Javën e shkuar siç raportojnë mediat britanike, Alexis Sanches i komunikoi zyrtarisht Topçinjve të Londrës vendimin e tij për të mos rinovuar kontratën, duke lënë të hapur shtegun për Manchester Citin dhe Paris Saint-Germain, dy klube kandidate për të përfituar shërbimet e tij.
Nga ana tjetër Mesut Ozil, ka interesimin e Manchester United dhe Barcelonës, por mesfushori 28-vjeçar, i cili u ble për 42 milionë paund nga Reali i Madridit, duket se ndihet mirë në Londër dhe agjenti i tij ka deklaruar se turko gjermani është i gatshëm të hyjë në bisedime për një rinovim me Arsenalin. Sidoqoftë, Wenger deklaron se të dy lojtarët mund të largohen në merkaton e dimrit çka do t’i paraprinte largimit të tyre me paramtera zero në fund të sezonit:
“Në këtë situatë ku ndodhemi kemi analizuar çdo skenar ndaj dhe largimi i tyre në janar është një opsion i mundshëm. Sa i takon dëshirës së Ozil për të qëndruar mund të them se jam në dijeni dhe më vjen mirë për këtë fakt. Aktualisht nuk kemi asnjë vendim konkret për ta komunikuar zyrtarisht, por shpresoj që situata të ndryshojë sa më shpejt”, u shpreh Wenger. Aktualisht skuadra e Wenger renditet në vendin e 5 të klasifikimit të Premier League dhe ka një rendiment të mirë me 7 fitore në 7 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Arsene Wenger pranon se Mesut Ozil mund të shitet në janar, nëse ai nuk nënshkruan kontratën e re me skuadrën e Arsenalit. Bosi i “Gunners” thotë se fituesi i Kupës së Botës mund të lejohet të largohet nga “Emirates” në mes të sezonit për të shmangur humbjen e tij me parametra zero, shkruan tabloidi britanik “The Sun”.
“Ne kemi parashikuar çdo zgjidhje, është e mundur që ne mund ta shesim në janar. Unë nuk kam përcaktuar një afat kohor, pasi Ozil largohet vetëm nëse nuk rinovon me Arsenalin”, tha ai. Arsene Wenger ka pranuar për herë të parë se mund të shesë në janar Mesut Ozilin gjithmonë, nëse nuk arrihet marrëveshja për kontratën e re me Arsenalin.
Mesut Ozil njihet si një nga lojtërat me teknikë të jashtëzakonshëm dhe i gatshëm gjithmonë të asistojë për bashkëlojtarët e tij. Këtë mesfushori gjerman thotë se e ka mësuar nga Zinedine Zidane, i cili është edhe idoli i tij në futboll. “Idoli im gjithnjë ka qenë Zidane. Unë gjithnjë kam shikuar ndeshjet e tij dhe kam dashur të luaj sikurse ai”, tha Ozil për faqen e UEFA-s.