Ballina Politikë Masakra në Butrint, si qeveria ja fshehu UNESCO-s ndërtimin

Masakra në Butrint, si qeveria ja fshehu UNESCO-s ndërtimin

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e ka patur të vështirë përballjen dje në Komisionin e Medias teksa ishte thirrur për të dhënë shpjegime mbi skandalin që po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit, ku një ndërtim i jashtëligjshëm po ngrihet në favor të klientelës pranë qeverisë.
Në mënyrë të paturpshme, Kumbaro ka pranuar se UNESCO-n nuk e ka pyetur për çdo projekt, ndërsa për çështjen konkrete të punimeve të brendësi të parkut i është drejtuar UNESCO-s për marrje mendimi, pasi problemi është bërë publik.
UNESCO nuk aprovon projekte në sitet arkeologjike në të gjithë botën. Nëse UNESCO ka pyetje bën, nëse nuk ka pyetje s’bën. Komunikuam drejtpërdrejt me zyrën e UNESCO në Paris. Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO-s për çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me email në anglisht pas publikimit të debatit”, tha Kumbaro.
Drejtuesja e komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi i kërkoi Kumbaros të ndërpresë menjëherë punimet. Vokshi tha gjithashtu se, Kumbaro nuk i ka vënë në dispozicion Komisionit të Medias komunikimin e Ministrisë së Kulturës me UNESCO-n.
Ndërkohë, kundër Kumbaros për atë që po ndodh në Butrint është rreshtuar edhe deputeti i PS në Sarandë, Alket Hyseni. Ai tha se ka një shqetësim real dhe të drejtë të qytetarëve për ndërtimin brenda Parkut të Butrintit. “Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve”, tha Hyseni.
Debate në komision pati edhe për pengimin e mediave që të futeshin në Parkun e Butrintit. Kumbaro tha se, për filmimin e pasurive kulturore duhet leje, ndërsa Vokshi i kujtoi ministres se gazetari nuk ka pasur kamera me vete. Ajo i kërkoi ministres t’i kërkojë ndjesë publike gazetarit dhe një televizioni.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, kryetarja Albana Vokshi i kërkoi llogari ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro nëse kishte marrë leje nga UNESCO, por ministrja tha se Organizata e OKB-së për Trashëgiminë Kulturore nuk jep leje të tilla.

Debatet në Komision

Vokshi: Llaç, tulla, beton. 400 metra katror.
Kumbaro: Më lini ta shpjegoj.
Vokshi: Më shpjego llaçin, tullën, se ligji nuk e lejon. Në zonat Arkeologjike A, është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje me karakter ndërtimor. A është karakter ndërtimor?
Kumbaro: Jo! E gjitha ajo platformë me atë pjesë të vogël të telit me beton të varfëruar dhe me pjesën e drurit mund të zhvendoset në çdo moment dhe po kjo është e lejuar nga ligji. Ajo që ligji ndalon është ndërtimi i objekteve të reja, është gërmimi dhe ndryshimi i peizazhit.
Vokshi: E keni marrë lejen në UNESCO? Se një herë thatë po dhe një herë thatë jo. Ju ka dhënë aprovimin për këto gërmime?
Kumbaro: Më lejoni t’u shpjegoj këto dy gjëra. E para, nuk ka gërmime. E dyta, çfarë është UNESCO? UNESCO nuk jep leje për ndërtime të tilla.
Albana Vokshi: Kumbaro s’na ka sjellë komunikimin me UNESCO-n. Ndërprisni tani punimet dhe vijojmë dëgjesën për atë që po ndodh në Butrint.
Luçiano Boçi: Të ndërprisni menjëherë punimet dhe seancën dëgjimore e zhvillojmë edhe në një mbledhje tjetër, kur ju të jeni gati.
Alket Hyseni: Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve.
Vokshi-Kumbaros: Nuk lejuat gazetarin e “Report Tv” të futej në Parkun e Butrintit.
Mirela Kumbaro: Ka pasur një incident me gazetarin e “Report Tv”. Për filmimin dhe fotografimin e pasurive kulturore, të kërkohet leja e autoritetit që e administron. Ne kemi dhënë pafund leje nga BBC, CNN e deri te më të vegjëlit.
Albana Vokshi: Gazetari nuk ka pasur kamera. Sot ju duhet t’i kërkonit ndjesë gazetarit dhe medias.
Mireal Kumbaro: S’kam asnjë lloj shqetësimi për këtë gjë.
Albana Vokshi: Ky është rast i paprecedentë.
Fidel Ylli: Problemi është i ndjeshëm edhe për ne. Nëse ka shkelur ligjin nuk ka ku shkon as ministri e askush. Nëse ligji është shkelur unë do jem në krahun e asaj pjese që është për informimin publik.
Ministrja Mirela Kumbaro ka raportuar sot në seancën dëgjimore për ndërtimin në Butrint. Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga ministrja Kumbaro të japë sqarime për ndërtimet që po kryhen në Butrint. Ministrja Kumbaro tha se nuk është shkelur ligji për trashëgiminë kulturore, ndërsa sipas saj bëhet fjalë për një ndërtesë, objekt ekzistues që do shërbejë si pikë qëndrimi për turistët. Ndërkohë deputeti i PS, Fidel Ylli, i ka kërkuar kolegëve që mos ta kthejnë në shoë mediatik.
Vokshi: Shoh se nuk keni tërheqje as regres nga ajo që keni bërë dje.
Kumbaro (Bën përmbledhje të VKM-ve dhe vendimeve të marrë nga Ministria e Kulturës ndër vite)
Vokshi: Nuk kemi nevojë për histori
Kumbaro: Më keni kërkuar kuadrin ligjor. Duroni se po vij te përgjigjet konkrete
Vokshi: Dilni te Butrinti te projekti konkret.
Kumbaro: Mund të rijetëzohen po të mos të ndryshojnë funksion, pra në zbatim të legjislacionit, kemi hartuar një dokument për të arritur politikat institucionale.
Gjatë mbledhjes, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, kërkoi ndërprerjen e puimeveve, ndërsa shprehu shqetësimin për projektin. Ajo theksoi se Ministria e Kulturës nuk ka lejuar as median në zonë, duke mos lejuar transparencë.
Vokshi: Informacioni është i mangët. Të gjitha pikëpyetjet nuk marrin përgjigje shterruese, duke na sqaruar pse nuk ka komunikim me UNESCO-n, pasi Butrinti që nga viti 1992, për vetë vlerat kulturore dhe trashëgimore që përmban, ka vetëm një aneksë, por asnjë lloj komunikimi që Ministria mund të bëjë punime në Butrint. Për sa kohë gjërat mbeten të pasqaruara deri në fund, ju duhet të kërkoni ndërprerjen e punimeve tani për aq kohë sa të marrë informim i plotë i publikut.
Për të gjitha ato çështje që nuk do të marrin përgjigje mund ta thërrasim ministren në një rast të dytë. Është identiteti kombëtar në pikëpyetje. Është një trashëgimi botërore. I gjithë procesi është bërë në mënyrë jo transparente. Nëse ju pengoni mediat që të investigojnë të gjitha këto, ngrenë hije dyshimi në atë që ju e keni lejuar dhe disa profesionistë e quajnë krim.

Exit mobile version