Kili mbetet jashtë

Botërori 2018 fiton Lionel Mesin, por humbet Alexis Sanchez dhe Arturo Vidal. Kapiteni, numri 10 dhe frymëzimi i Argjentinës vendosi diktatin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke marrë për dore skuadrën albiceleste në një 90 minutësh që mund të kishte rezultuar dramatik në rreth 3 mijë metra mbi nivelin e detit në Quito të Ekuadorit. 3-1 e mbylli ndeshjen e jetës Argjentina me tregolëshin e 5 herë fituesit të Topit të Artë, që në momentin më të vështirë pas pësimit të golit të parë që në fillim të takimit, nuk u dorëzua, por gjeti forcat dhe frymëzoi kombëtaren e tij me një gol të shpejtë që e riktheu Argjentinën në lojë.
Kombinim 1-2 me të përhershmin Di Maria dhe topi u ndal në rrjetë. Një gol që i dha kurajo dhe e bëri më të pakapshëm atë që nga shumë njerëz konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Në stadiumin “Atahualpa” ai bëri të heshtnin të gjithë të pranishmit, ku shtoi një tjetër perlë gjatë pjesës së parë për të kaluar në avantazh ekipin bardhekaltër që për të parën herë arriti të merrte frymë lirisht edhe pse në një ambient mbytës.
Vendasit u shthurën taktikisht pas këtij goli duke kërkuar me çdo kusht ta prishnin festën argjentinase, por tentativat e tyre rezultuan të pasuksesshme, ndërsa Mesi u rishfaq vendimtar edhe në pjesën e dytë me golin që largoi çdo hije frike. 3-1, një fitore që mundonte në Ekuador që prej 16 vjetësh dhe 61 gola të Mesit me fanellën e Argjentinës, duke u ngjitur edhe në vendin e tretë të klasifikimit të Amerikës së Jugut pas Romarios dhe Ronaldos. Statistika dhe një paraqitje që ndoshta i kanë vënë përfundimisht kapak dyshimeve të tifozëve argjentinas për impenjimin e numrit 10 me kombëtaren.
Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, ndihet me fat që ka pasur mundësinë që të jetë pranë Lionel Mesit, i cili i siguroi Argjentinës kualifikimin në Botërorin “Rusia 2018”. “Unë jam me fat që e shoh dhe e kam aq afër”, ka shkruar ylli i Juventusit në Twitter. Lionel Messi shënoi tri gola në fitoren e Argjentinës ndaj Ekuadorit (1:3). Kjo fitore i mundësoi Argjentinës që të kualifikohet në Botërorin “Rusia 2018”.
Por në mbrëmjen e fundit eliminatore të zonës Comnebol nuk ka vetëm lotë gëzimi, por edhe lotë hidhërimi. Kili u thye 3-0 në Brazil ku dy herë Gabriel Jesus dhe një herë Paulinho nuk bënë skonto për kampionët e Kupës së Amerikës, duke i lënë ata jashtë Kupës së Botës. Në stadiumin “Allianz Parque” të San Paolos nuk pati histori sepse Brazili edhe pse me vendin e parë të siguruar, tregoi se në fushën e blertë nuk do të bëjë llogaritë me asnjë kundërshtar, duke i shkaktuar Kilit një humbje të hidhur që do ta mbajë jashtë Botërorit 2016. Buzëqeshje edhe për Uruguajin që kaloi 4-2 Bolivinë për të betonuar pozitat në vendin e dytë me një biletë në dorë, ndërsa Kolumbia barazoi 1-1 në Peru dhe u kualifikua falë disfatës së papritur të Paraguajit në shtëpi 1-0 nga Venezuela. Vendi i pestë që siguron përballjen e dyfishtë të play off me Zelandën e Re, shkon për surprizën e këtyre eliminatoreve, Perunë.