Grabitja, dy thasët me pensionin e mamit?

Policia pranoi dje në orët e mesditës se shtëpia e Gjiknurit në të cilin kohët e fundit jeton nëna e tij bashkë me vëllanë e vogël është grabitur. Sipas njoftimit të policisë grabitja ka ndodhur në orët e darkës së ditës së martë. Këtu kemi gabimin e parë të policisë, e cila duke u munduar të justifikojë heshtjen që shoqëroi grabitjen e shtëpisë së ministrit ka ndryshuar edhe kohën se kur ka ndodhur grabitja. Grabitja nuk ka ndodhur në orët e darkës së ditës së martë, por ka ndodhur në orët e drekës. Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen kanë dëshmuar për Gazetën “RD” edhe skenën e plotë të grabitjes. Autorët kanë hyrë nga dritarja e banjos. Sipas tyre grabitja ka ndodhur rreth mesditës dhe ora ka qenë rreth 14-15. Gjithçka ka qenë një operacion i shpejtë dhe i mirëmenduar nga autorët e grabitjes, sepse ka zgjatur pak. Autorët janë siguruar që në shtëpi në ato momente nuk kishte njeri nga familjarët, ndërsa kanë rrezikuar shumë për shkak të hyrjes së vështirë që kanë bërë nga dritarja e banjos së apartamentit.
Policia është detyruar që të reagojë për shkak të përhapjes së lajmit në media nga “RD” si dhe numrit të madh të dëshmitarëve që kanë parë shtëpinë e Gjiknurit të rrethuar me forca të shumta policore deri në orët e vona të pasdites së ditës së martë. Të gjithë banorët e zonës e dinin arsyen se përse policia kishte rrethuar pallatin si dhe për kërkimet që po bënin.
Gabimi i dytë në deklaratën e Policisë ka të bëjë me shumën e parave që grabitësit kanë marrë në banesë. Policia thotë se është marrë shuma e 300 mijë lekëve dhe kjo shkon në sinkron me deklaratën e bërë nga e ëma e ministrit, e cila tha se i kishin marrë kursimet e pensionit të tre muajve. Po si mundet që një grup grabitësish të rrezikojnë aq shumë dhe të futen në shtëpinë e një ministri për të marrë paratë e pensionit? Kush e beson një përrallë të tillë të hartuar me kujdes në zyrën e ministrit dhe që i është servirur më pas opinionit përmes Policisë?
Dëshmitarët kanë pohuar se grabitësit kanë dalë nga shtëpia me dy thasë të mbushur dhe kanë ikur me shpejtësi përmes rrugicave të lagjes dhe më pas kanë ngarkuar thasët në një makinë që i priste në një nga rrugicat dhe janë larguar. Thasët nuk mbushen me para pensionesh dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët që dje kanë reaguar me ironi ndaj lajmeve dëshpëruese të qeverisë se nuk ishte vjedhur ministri, por pensioni i të emës.
Se sa është shuma e marrë në banesën e ministrit kjo ende nuk mund të thuhet saktësisht, por dy thasë të mbushur me para janë të mjaftueshëm sipas ekspertëve të bankave për të llogaritur një shumë që shkon përtej 1 milion eurove.
Nuk duhet pritur nga Policia zbardhja tërësore e ngjarjes dhe shuma reale e parave që janë grabitur në shtëpinë e ministrit. Ato fshihen dhe nuk tregohen. Kjo ka ndodhur sa herë janë vjedhur shtëpi të ministrave apo edhe të zyrtarëve të lartë që kanë pasur shuma të mëdha të parave të padeklaruara.
Pak kohë më parë pati një tjetër raportim për vjedhjen e shtëpisë së një tjetër ministri të qeverisë Rama dhe sipas raporteve në media bëhej fjalë për një shumë që arrinte shifrën e 8 milionë eurove. Në atë rast, lajmi nuk u bë publik dhe u mbajt i fshehtë.
Një rast tjetër për të kuotuar se si Policia fsheh shumat reale të parave të grabitur ka të bëjë me rastin e vjedhjes sistematike të bankave. Në asnjë rast, policia nuk ka deklaruar shumën reale, por shumë herë më të zvogëluar. E njëjta situatë përsëritet edhe tani në rastin e vjedhjes në banesën e ministrit ku jeton e ëma. Sipas dëshmitarëve, grabitësit kanë ditur se çfarë materialesh interesante monetare fshihte ministri në shtëpi ku ishte rritur dhe kishte të emën që nga kursimet tre mujore të pensionit kishte arritur të kursente 3 milionë lekë, a thua se pensionin mamaja e ministrit e paska patur 2 milionë lekë në muaj.

Reagimi i policisë, gabon me kohën kur u krye vjedhja dhe shumën

Pas shkrimit në gazetën “RD”, policia u detyrua dje të bënte publike ngjarjen që u përpoq të mbante të fshehtë mbi grabitjen e shtëpisë së ministrit Damian Gjiknuri. Dje, përmes një njoftimi publik, policia u detyrua të konfirmonte shkrimin e gazetës “RD”, mbi grabitjen e shtëpisë së Gjiknurit dhe vjedhjeve e sasive të konsiderueshme të parave. “Gjatë natës, në rrugën “Maliq Muça”, persona të paidentifikuar, kanë vjedhur banesën e shtetases L. Gj. 67 vjeçe banuese në Tiranë, ku kanë marrë shuma lekësh. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Neni 134 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë. Po dje, vjedhjen e ka pohuar edhe vetë nëna e Gjiknurit, e cila ka reaguar për herë të parë pas grabitjes së banesës së ministrit Damian Gjiknuri. E porositur nga i biri, Lirije Gjiknuri, ka deklaruar se autorët i kanë marrë 300 mijë lekë, të cilat i kishte mbledhur nga pensioni. “Nuk ka as miliona asgjë, grabitën 3 milionë lekë të vjetra të mbledhura nga pensioni im”, u shpreh ajo.

Arben SHAHINI