Berisha me Granoff, diskutohet për krimin e investimet

Ish-Kryeministri Berisha priti në një takim Presidentin e Fondit shqiptaro – amerikan të Ndërmarrjeve, zotin Michael Granoff. Zoti Berisha shprehu vlerësimin e tij më të madh për suksesin e projekteve të Fondit shqiptaro – amerikan të Ndërmarrjeve në tërësi në Shqipëri si dhe investimet serioze që janë bërë në të gjitha fushat nga ky Fond. Ai shprehu kënaqësinë që projekti i rindërtimit të qëndrave urbane, një inisiativë e nisur që në vitin 20011, është projekti i vetëm që ecën në Shqipëri dhe kjo falë financimit dhe ekspertizës së Fondit. Presidenti Granoff e informoi zotin Berisha se, projekti më i fundit në këtë drejtim do të jetë Vlora, ku Fondi do të investojë një shumë të madhe për rindërtimin e qendrës së Vlorës. Gjithashtu në takim u diskutua për projektin e Fondit në arsim dhe në fusha të tjera. Në këtë kontekst, zoti Berisha i shprehu mirënjohjen më të thellë presidentit Granoff, bordit dhe punonjësve të Fondit, që me përkushtimin e tyre të madh, dashurinë për Shqipërinë e shndërruan Fondin shqiptaro-amerikan të Ndërmarrjeve në historinë më të suksesshme në të gjitha vendet ish-komuniste. Në takim zoti Berisha dhe zoti Granoff diskutuan për problemet kryesore në Shqipëri që janë krimi dhe korrupsioni dhe pamundësinë totale për t’i luftuar, për shkak të lidhjeve të Ramës dhe qeverisë me to, çka po largon investimet e huaja. Biseda ishte e hapur dhe miqësore.