Australia kualifikohet me vështirësi

Ëndrra e Sirisë për një vend në fazën finale të botërorit të ardhshëm mori fund pas golit të shënuar në kohën shtesë nga veterani Tim Cahill, gol që kualifikon për në fazën tjetër të play off-it Australinë, me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Omar Al Somah i dha shpresë për të shkuar në Rusi kombëtares që përfaqëson një vend të shkatërruar nga lufta civile, kur realizoi që në 6′ në stadiumin e Sidneit. Gabimi i Mark Milligan i dha mundësi sulmuesit të klubit saudit Al Ahli për të zhbllokuar ndeshjen me të majtën, që në start, duke mbajtur të gjalla shpresat për të kualifikuar Sirinë për herë të parë në fazën finale të një botërori, por 37-vjeçari Tim Cahill barazoi shifrat vetëm shtatë minuta më vonë, pas krosimit perfekt të lojtarit të Hertës Mathew Leckie.
Për habinë e të gjithëve Aaron Mooy e nisi takimin nga stoli, megjithatë trajneri i Australisë Ange Postecoglou reflektoi menjëherë duke futur në fushë pikërisht dy minuta para golit mesfushorin e klubit të Premier League-s Huddersfield Town. Ky ishte edhe momenti që ktheu ndeshjen, pasi Siria shpëtoi vetëm falë pritjeve heroike të portierit Ibrahim Almeh, që evitoi më pas në pjesën e dytë gola të sigurtë ndaj Tom Rogic dhe Mathew Leckie-t. Siria që të enjten e kaluar në Malajzi barazoi në takimin e parë po me rezultatin 1-1 u reduktua me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq në fillimin e shtesës së parë të Mahmoud Al Mawas.
Kartoni i kuq natyrisht influencoi ndjeshëm dhe pas rezistencës që bënë në shtesën e parë sirianët pësuan edhe golin e dytë, kur ish-lojtari i Evertonit Tim Cahill shënoi për herë të dytë me kokë, duke realizuar njëkohësisht edhe golin e tij të 50 me fanellën e përfaqësueses. Ndonëse me një futbollist më pak miqtë për pak sa nuk e çuan takimin te penalltitë, kur gjuajtja e lirë e ekzekutuar nga Al Somah në minutë 121 u ndal nga shtylla dhe Australia përfundimisht fitoi sfidën me rezultatin 2-1, duke prenotuar kështu edhe përballjen finale të play off-it me vendin e katërt të Konfederatës CONCACAF, pra Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore si dhe Zonës së Karaibeve.