Zhgënjen Ventura

Është folur gjatë ditëve të fundit për një rikthim të mundshëm të Antonio Contes në Itali, por këtë herë shtypi britanik shkon më tej, duke futur në lojë edhe zhgënjimin e senatorëve të Kombëtares italiane të Futbollit, e në këtë mënyrë asocion stolin e Përfaqësues së Kaltër me teknikun e Chelseat. Në fakt është ndër titujt kryesorë të të përditshmeve sportive angleze, rikthimi i Antonio Contes në stolin e Kombëtaren italiane. Siç raporton “The Sun”, drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit janë duke përpiluar një ofertë joshëse në tentativën për të risjellë teknikun e Chelseat në drejtimin e katër herë Kampionëve të Botës. Marrëveshje e cila pritet të konkretizohet pas Botërorit 2018. Për të ushqyer të gjithë këtë skenar, kanë kontribuar, rezultatet zhgënjyese të Venturës gjatë kohëve të fundit, por edhe pakënaqësia e Contes, pasi nuk arriti të siguronte përforcimet që dëshironte tek Chelsea.
Javën e shkuar në fakt ish-tekniku i kombëtarës italiane, të cilën e drejtoi gjatë sezoneve 2014-2016 pati deklaruar se kishte nostalgji për Italinë dhe se e mendonte rikthimin, pasi të përjetonte edhe një eksperiencë tjetër të rëndësishme jashtë vendlindjes. 48-vjeçari Conte ka një kontratë trevjeçare me Chelsean dhe mësohet se drejtuesit e Klubit anglez janë të gatshëm që të shpenzojnë pa u kursyer në merkaton e dimrit, pikërisht me qëllimin për të mbajtur në stolin e tyre italianin Conte. Tekniku i Bluve të Londrës gjithashtu është në objektivat e Milanit, pas ecurisë aspak të kënaqshme që ka të Vincenzo Montellës, për të cilin fitet se rrezikon pozitat e tij menjëherë për derbyt në rast të një disfate.
Fitorja ndaj Shqipërisë nuk ka zbutur pakënaqësitë e shtypit italian që vijon të jetë kritik ndaj skuadrës së Venturës. Në “Loro Boriçi” kuqezinjtë me paraqitjen e tyre detyruan të kaltërit të mjaftohen me një gol të Candrevës, që për hir të vërtetës përfitoi nga një gabim në mbrojtjen tonë. Pikërisht loja e shfaqur në tapetin e gjelbër nuk ka bindur shtypin italian që edhe pse i është gëzuar kualifikimit për në Play Off nuk ka kursyer kritikat. Në një shkrim të “sportmediaset” është evidentuar që Italia nuk bind si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Paraqitjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë kanë treguar limitet e Italisë, ndërkohë që mendohet se senatorët nuk kanë pëlqyer modulin e lojës së trajnerit Gianpiero Ventura, duke kërkuar rikthimin e skemës së përdorur nga Antonio Conte me 3 në mbrojtje.
Por timonieri i të kaltërve vijon të mbetet fanatik i ideve të tij, ashtu siç u pa edhe në “Loro Boriçi” dhe muajin e ardhshëm në sfidat e Play Off ndoshta mund të vendosë të ndryshojë lojtarët që duhet të interpretojnë skemat e ideuara prej tij. Por duket se tashmë Ventura ka të gjithë kundër, pasi shtypi italian ngren alarmin duke e konsideruar përfaqësuesen, e cila në europianin e vitit të shkuar u eliminua nga Gjermania me penallti, si një skuadër provinciale. Edhe suksesi në “Loro Boriçi” nuk qetëson shpirtrat e të kaltërve, të cilët do të vijojnë të jenë të trazuar edhe për një muaj, teksa gjatë kësaj periudhe do të mësojnë në fillim emrin e kundërshtarit në Play Of dhe më pas nëse do të jenë apo jo në Rusi verën e ardhshme.