S’përballojmë faturat, as ngrohjen e pushimet

Barometri i Ballkanit, i publikuar ditën e djeshme nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka anketuar publikun në 6 vende të Ballkanit (Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja, Kroacia, Maqedonia) edhe lidhur me situatën e tyre të jetesës dhe përballueshmërinë e nevojave të përditshme.
Nga anketimi rezulton, siç theksohet edhe në raport, se nga pesë pyetje të bëra lidhur me përballueshmërinë e nevojave të përditshme, Shqipëra rezulton me një përqindje të lartë të atyre që shprehen se nuk janë në gjendje të përballojnë të gjitha elementët që përfshihen në pyetje. Në Shqipëri rreth 39% e familjarëve nuk ishin në gjendje të paguanin faturat e dritave, ujit, dhe të paktën 43% nuk ishin në gjendje të mbanin shtëpinë e tyre mjaftueshëm të ngrohtë, përqindje këto shumë më të larta sesa vendet e tjera (shih grafikun).
30% deklaruan se nuk ishin në gjendje të paguanin këstet e huasë, edhe kjo përqindja më e lartë në rajon.
30% e familjarëve deklaruan se nuk ishin në gjendje të përballojë blerjen e ushqimeve, veshjeve dhe furnizimeve të tjera bazë. Shteti i dytë pas Shqipërisë me përqindjen më të lartë të këtij treguesi është Serbia me 19%, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit përgjithësisht shprehen se arrijnë të përballojnë blerjen e ushqimeve dhe veshjeve.
Shqipëria ka dhe përqindjen më të lartë të atyre që thonë se nuk janë në gjendje të përballojnë të paktën një javë pushime larg shtëpisë (në rast se do të donin), me 70% të të anketuarve. Kjo përqindje është shumë më e lartë se mesatarja rajonale, ku pas nesh renditet Serbia, me rreth 50%.
Është interesante që Bosnja dhe Kosova, që kanë të ardhura për frymë të ngjashme me Shqipërinë, duke u renditur ndër më të fundit në Europë, nuk japin përgjigje kaq negative kur vjen puna te pyetja që lidhet me sigurimin e nevojave elementare.
Në një tjetër pyetje të sondazhit, 25% e të anketuarve shqiptarë shprehen se nuk e kanë të sigurt që do ta ruajnë vendin e punës në 12 muajt e ardhshme, sërish përqindja më e lartë në rajon. 53% e të anketuarve shqiptarë janë përgjigjur se një i njohuri i tyre ka humbur vendin e punës në 3 vitet e fundit.
Pyetjes se sa njerëz në familjen tuaj që janë në gjendje të punojnë janë të papunë, 70% e të anketuarve shqiptarë i janë përgjigjur të paktën një ose më shumë, përqindja e dytë më e lartë në rajon pas Kosovës. 86% e shqiptarëve mendojnë se, diferenca mes të pasurve dhe të varfërve po rritet në ekonomi. Në këtë pyetje rekordin e mban Kroacia, me 94%. Shqiptarët renditen nga fundi edhe kur pyeten se sa të kënaqur janë me situatën e tyre financiare, ku sërish 53% thonë se janë të pakënaqur (tërësisht ose kryesisht), përqindja më e lartë nga gjithë Ballkani. Edhe në lidhje me situatën ekonomike, sërish ka një nivel të lartë pakënaqësie, me 67% të të anketuarve që janë të pakënaqur (kryesisht ose tërësisht), duke lënë pas Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën. Shtetasit më të kënaqur me ekonominë e tyre janë malazezët. Problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët janë papunësia (59%), situata ekonomike (47%) dhe korrupsioni (38%). Ndërsa besimi i publikut është pak mbi mesataren e rajonit, ndryshe është situata për bizneset. Në indeksin tjetër të besimit të biznesit, të publikuar po nga RCC, në total Shqipëria është vlerësuar me 56 pikë, më e ulëta së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi (nga 62 që është mesatarja rajonale). Edhe ky indeks përbëhet nga situata aktuale dhe pritshmëritë. Sa i takon vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria ka 49 pikë, më e ulëta në rajon, nga 57 pikë që është mesatarja rajonale. 40% e bizneseve të anketuar mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit, përqindja më e lartë pas Bosnjës (45%). Vetëm 27% presin që numri i të punësuarve në kompanitë e tyre të rritet gjatë 12 muajve në vijim, sërish më i ulëti në rajon. 31% e bizneseve shqiptare u përgjigjën se situata e tyre është përkeqësuar 12 muajt e fundit (nga 17% që është mesatarja rajonale)) dhe 33% thanë që është përmirësuar (40% mesatarja rajonale).