Spanja s’toleron, shqiptarët i japin fitoren Maqedonisë

Edhe pse pa yje dhe me linjat e dyta në fushën e lojës, Spanja nuk njeh rivalë dhe mbi të gjitha nuk toleron. “La Roja” fitoi 1-0 në fushën e Izraelit, me golin e realizuar nga Asier Illarramendi në të 76-ën. Vetëm pak sekonda, pasi Italia kaloi në avantazh në “Loro Boriçi”, spanjollët u përgjigjën nga Jeruzalemi me rrjetën e mesfushorit të Real Sociedad. Me Sergio Ramos dhe Sergi Busquets që ishin dy titullarët e vetëm në fushë, në një ndeshje pa shumë emocione, iberikët bën thjesht detyrën përballë Izraelit, duke i bërë nder në distancë Shqipërisë në mbrojtjen e vendit të tretë në kualifikueset e Botërorit 2018. Në ndeshjen tjetër të grupit, Maqedonia e mbyll këtë edicion me fitoren me goleadë 4-0 përballë Lihtenshtejnit. Një sukses në shenjën e shqiptarëve, me tre gola të realizuar.
Visar Musliu në të 36-ën zhbllokoi ndeshjen pas asistit të Alioskit, ndërsa pak çaste më pas, Trajkovski dyfishoi rezultatin. Goli i tretë i Maqedonisë mbante firmën e talentit shqiptar nga Shkupi, Enis Bardhi në të 66-ën. Emocionues goli i katërt pak sekonda më pas, që edhe pse shërbeu për statistikë, kishte vlera të mëdha për Arijan Ademin. Shqiptari që është edhe kapiten te Dinamo e Zagrebit u rikthye me gol në përfaqësuesen maqedonase pas pezullimit dyvjeçar për përdorim të substancave të ndaluara.