Sistemi shëndetësor tërësisht i dhënë me koncesion

Financimet në shëndetësi cilësohen si “thembra e Akilit” sa i përket përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së cilësisë së tyre. Por më e rëndësishme se vetë financimi është menaxhimi i parave që vihen në shërbim të këtij sektori. Tenderat dhe koncesionet janë format më të përdorura për ofrimin e shërbimeve shëndetësore vitet e fundit. Nëse do të bënim një renditje të kompanive sipas vlerës së kontratave publike të lidhura në këtë sektor do të listonim pesë prej tyre si më kryesoret.
Në vendin e parë është Devis shpk, e cila ka lidhur tetë kontrata me një vlerë përfitimi mbi 861 milionë lekë. Fusha në të cilën ofron shërbime kjo kompani është lavanteri dhe pastrime kimike dhe është krijuar në vitin 2004. Në vend të dytë, renditet Megapharma, e cila vetëm me QSUT ka lidhur kontrata në vlerën e 519 milionë lekë. Në vendin e tretë, renditet Rejsi Farma shpk, e cila ka si objekt të veprimtarisë së saj eksport–importin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve farmaceutike e kozmetike.
Në total kjo kompani ka rreth 177 kontrata të lidhura në sektorin shëndetësor me një vlerë financiare mbi 413 milionë lekë. Vetëm me QSUT, kjo kompani ka lidhur 37 kontrata me një vlerë prej 223 milionë lekë.
Në vendin e katër, renditet Biomedica Albania Distribution, kompani e cila është krijuar në vitin 2015 dhe numëron dy kontratat të lidhura në sektorin shëndetësor. Ndërsa në vendin e pestë për nga renditja e bizneseve që kanë lidhur kontrata me vlerë më të lartë në sektorin e shëndetësisë është OES Distrimed shpk. Një numër i lartë kompanish shprehin interes për të bashkëpunuar në sektorin e shëndetësisë dhe sipas gjasave për të gjithë do të ketë një mundësi, duke qenë se orientimi i politikave sociale dhe jo vetëm, është drejtë bashkëpunimit me privatin.