Në Gjykatë HEC-et e Valbonës, Ambasada gjermane: Zona është unike, të ruhet

Gjykata Administrative ka nisur shqyrtimin e kërkesës së banorëve të fshatit Dragobi për pezullimin e punimeve për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Valbonë. Në padi, 27 banorë të fshatrave përreth kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve. Nga pala e paditur u paraqit vetëm Ministria e Energjisë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërkohë që munguan disa dikastere të tjera të përfshira në padi. Në hapje të seancës ra në sy mbështetja publike që ju dha banorëve të zonës nga ana e ambasadës gjermane, që e ka ndjekur që nga fillimi këtë përplasje. Zëvendës Ambasadorja Anke Holstein tha se zona ofron vlera natyrore dhe një peizazh unik, i cili duhet të shfrytëzohet për turizëm e rritjen ekonomike të popullsisë përreth. Nga ana e tyre, banorët thanë se puna për ndërtimin e Hec-ve ka vazhduar me ritme të shpejta. Sipas tyre, shpërthimet e dinamitit tronditin çdo natë shtëpitë, ndërkohë që shtrati i lumit është tharë. Më 2 qershor, Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së banorëve për pezullimin e punimeve për ta nënshtruar çështjen një gjykimi të mirëfilltë. Banorët e katër fshatrave në luginën e Valbonës i kanë kërkuar një gjykate në Tiranë të anulojë vendimet që lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve, që sipas tyre do të shkatërrojnë lumin Valbonë. Me mbështetjen e OJQ-ve në Alpet shqiptare, banorët e luginës së Valbonës i janë drejtuar Gjykatës në përpjekje për të përmbysur një vendim që miraton ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë. Pas Vjosës dhe hidrocentralit të Poçemit, kjo është e dyta çështje e madhe mjedisore që i drejtohet Gjykatës.
Që nga shkurti i vitit të kaluar, banorët e mbështetur nga grupe mjedisore dhe artistë kanë protestuar kundër vendimeve për të ndërtuar hidrocentrale në lumë, të cilat qeveria i ka vulosur në vitin 2009 dhe 2013. Ata thonë se, ndërtimi i hidrocentraleve do të dëmtojë mjedisin dhe potencialin turistik të zonës së Alpeve shqiptare.
Protestat e tyre dhe diskutimet me qeverinë kanë rënë në vesh të shurdhët deri më tani dhe disa nga kompanitë koncesionare kanë filluar tashmë ndërtimin e hidrocentraleve, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga vendasit. Të martën, 27 banorë nga Rragami, Valbona, Dragobia dhe Çeremi së bashku me OJQ-në Toka dhe lidhjen Të Shpëtojmë Alpet shqiptare paraqitën në Gjykatën Administrative të Tiranës një padi.
Padia i kërkon Gjykatës të anulojë kontratat për dy hidrocentralet që janë në proces ndërtimi në atë që përcaktohet si park kombëtar. “I kërkojmë Gjykatës të anulojë kontratën e koncesionit dhe lejen mjedisore, lejen e ndërtimit dhe lejen e përdorimit të rezervave ujore”, shkruan deklarata e banorëve. Ata thonë se procedurat që Ministria e Industrisë, Ministria e Mjedisit dhe agjenci të tjera shtetërore kanë ndjekur, kanë çuar në dhënie lejesh që janë shkelur në mënyrë flagrante.