Kundërvënia e grupit të deputetëve ndaj Enver Hoxhës

Ishte fillimi i prillit të vitit 1946, kur në një mbledhje tjetër të bërë në shtëpinë e Hysen Shehut nga “Grupi i deputetëve”, siç u konsiderua nga opinioni i mëvonshëm, është deklaruar se planet e tyre për të rrëzuar Enver Hoxhën së shpejti do të gjenin zbatim. Për këtë, disa anëtarë të grupit, si Riza Dani, Selman Ndreu, Kolë Kuqali etj., pak orë para se të fillonte mbledhja në fjalë, ishin takuar me misionarët e përfaqësisë amerikane në Tiranë. Kështu, sa u mblodhën të gjithë, ata njoftuan për çka kishin biseduar me misionarët e huaj dhe për porositë që kishin marrë prej tyre. Njoftuan se prej tyre u ishin dhënë detyrat që duhej të zgjeronin organizimin e çetave, të fillonin nga aksionet e të përgatiteshin për kryengritje, pasi ata së shpejti do të zbarkonin me forca ushtarake. Konkretisht, gjatë fjalës së tij Riza Dani mësohet të ketë thënë:
“Në bisedimin që kemi pasur me misionin amerikan dhe me gjeneralin Hodgson, kemi marrë premtimet se ata së shpejti do të merrnim masa për atë çka kërkonim, vetëm se kërkonin nga ne që të mos zhgënjeheshin”.
Pas shumë orë diskutimesh dhe sugjerimesh, në fund ka folur dhe njeriu me më shumë ndikim i grupit, Shefqet Beja, i cili, si edhe parafolësit e tij, është shprehur:
“Zgjerimin e veprimtarisë së çetave dhe udhëzimet që morëm nga anglo-amerikanët për një zbarkim, me të shkuar nëpër qarqe do t’ua thoni shokëve dhe të fillojë një propagandë e gjerë, duke filluar me parulla të ndryshme”.
Pas tij ka ndërhyrë deputeti Selaudin Toto, i cili duket se ka pasur një besim të padiskutueshëm tek aleatët e tyre antikomunistë të Perëndimit, pasi është shprehur:
“Duhet të kemi besim në premtimet që na kanë dhënë anglo-amerikanët, sepse patjetër së shpejti do të kemi një zbarkim dhe do të ndryshojë situata këtu”.
Pas kësaj mbledhjeje, ku sipas procesverbaleve hetimore të mbajtura nga dëshmitë e vetë personave vetëm pak kohë para daljes së tyre në gjyq, është vendosur edhe për masat konkrete që do të merrnin në interes të një kryengritjeje të pritshme të armatosur, pothuaj të gjithë krerët e “Grupit të deputetëve” shkuan në rrethe për t’u marrë me organizimin.