1.5 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Brindizi

1.5 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua në Brindizi nga Guarda di Finanza. Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se, droga e ardhur nga Shqipëria me gomone është shkarkuar në një zonë të mbrojtur dhe më pas është ngarkuar në kamion, që drejtohej nga një italian, i cili si rojtar kishte një shqiptar.
Sipas mediave italiane, një ton e gjysmë marijuanë e paketuar në 63 kartona të fshehura në “barkun” e kamionit, u kapën nga financierët e daljes së Torre Guaceto. Të dy trafikantët u arrestuan. Ata janë Marco Mastro, 40 vjeç, shofer, lindur në Martina Franca, në provincën e Tarantos, dhe një qytetar shqiptar, Sokol Nelaj, 32 vjeç.
Kontrolli që çoi në zbulimin e ngarkesës maksimale të drogës ndodhi natën e së dielës. Një patrullë e kishte vënë re në rrugën bregdetare të Brindisit një automjet, një “Fiat Iveco” me përmasa të mëdha, pasi dilte nga një rrugë në parkun e Torre Guaceto, zonë e mbrojtur dhe për këtë arsye i paarritshëm për mjetet e transportit, dhe shpesh vend zbarkimi për substancat narkotike që vijnë nga Shqipëria.
Në anën e pasme të kabinës, kishte fjalën “transferime”. Financierët kanë parë se mjeti ecte me shpejtësi në rrugë për të marrë rrugën kryesore 379 drejt Barit. Dyshimi se mund të ketë diçka të çuditshme, ka shtyrë ushtrinë e Giamme Gialle për të ndjekur kamionin. Ndjekja zgjati disa minuta derisa “Fiat Iveco” u ndal në anën e rrugës. Kontrolli brenda i ka dhënë të drejtë financierëve: brenda hapësirës së ngarkesës ekzistojnë disa pjesë të siguruara me shirit izolues dhe celofan, që përmbajnë marijuanë.
Policia numëronte 63 pako, për një peshë totale prej 1.537 kilogramësh. U bë i gjithë konfiskimi i drogës së bashku me konfiskimin e mjetit të përdorur për transportin si dhe janë arrestuar dy pesonat dhe janë transportuar në Burgun e Brindizit, në pritje për të dalë para Gjykatës.
Para katër ditësh, Guardia di Finanza bllokoi në Otranto një gomone me 7 kuintalë drogë të nisur nga brigjet shqiptare. Mediat italiane shkruanin se, gomonia është ndjekur në det nga Guarda di Finanza, ndërsa tre trafikantët nga Vlora, kur kanë para që po ndiqeshin nga Guardia di Finanza e hodhën drogën në det për arsye që t’i shpëtonin ndjekjes.
Guardia di Finanza e Puglias, ka bërë të mundur që në orët e para të mëngjesit në afërsi të Otrantos të ndalojë mjetin lundrues tip gomone me tre shtetas shqiptarë në bord konkretisht L.B, 38 vjeç, H.M, 23 vjeç dhe Xh.H 24 vjeç. Guardia di Finanza ka gjetur e sekuestruar në bordin e gomones 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon pa ndërprerje, ndonëse policia thotë se janë marrë masa për goditjen e trafikut. Policia shqiptare reagon vetëm në ato raste kur droga bllokohet në Adriatik nga Guarda di Finanza, duke mashtruar se gjoja operacionet janë zhvilluar në bashkëpunim me policinë shqiptare. Nëse policia shqiptare do ta kishte seriozisht luftën kundër trafikut të drogës, atëherë duhet ta godasë atë që në nisje nga brigjet shqiptare dhe të mos mburret me operacionet e Guarda di Fananza italiane.
Ata që drejtojnë trafikun e drogës nga Shqipëria janë njerëz të fuqishëm që kanë lidhje me qeverinë, ndërsa deri tani janë arrestuar vetëm transportuesit e drogës dhe jo krerët e bandës që trafikonin drogë drejt Italisë.
Edhe para dy javësh, policia italiane sekuestroi 2.3 ton drogë që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Sasia më e madhe e drogës e kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri, ka bërë të ditur zv/prokurori i Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni.

R.POLISI