Tabaku: TVSH për biznesin e vogël rrit çmimet

Ndërsa qeveria është e vendosur të përfshijë gjithë biznesin në skemën e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, demokratët e konsiderojnë atë rrënuese për biznesin, me efekt të menjëhershëm të rritjes së çmimeve dhe rritje të informalitetit. Jorida Tabaku, nënkryetare demokrate e Komisionit të Ekonomisë, deklaroi se FMN lëshoi disa sinjale alarmi para të cilave nuk duhen mbyllur veshët.
Për demokratët vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël do të përkeqësojë edhe më shumë situatën ekonomike. Nuk mund të pritet asnjë përmirësim deklaron demokratja Jorida Tabaku, kur pavarësisht rritjes së taksave është i njëjti kabinet që dështoi për katër vjet të mbledhë të ardhura e të luftojë informalitetin. Për këtë të fundit, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë mbështet dhe tek një prej shqetësimve të FMN-së.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu shqetësimin, së pari mbledhja e taksave në Republikën e Shqipërisë, megjithëse taksat janë rritur me mbi 1.5 mld dollarë, vazhdon të jetë më e ulët se vendet e tjera të rajonit. “Kjo lidhet së pari me paaftësinë, së dyti, me faktin se rritja e taksave ka shkaktuar informalitet, së treti, lidhet dhe me korrupsionin siç ka gjetur KLSH”.
Duke u kthyer tek debati i ditës për vendosjen e TVSH për biznesin e vogël, Tabaku sjell në vëmendje situatën aktuale të tij me rreze të gjerë ndikimi.
“Biznesi i vogël është subjekt edhe në nivel lokal i dhjetëfishimit të tarifave. Fatura që paguan biznesi i vogël në nivel lokal e qëndror është 5 fish e rritur dhe kjo rritje është transferuar në rritje çmimesh për konsumatorët, ulje pagash, rënie e punësimit”.
Qeveria argumenton se, vendosja e gjithë biznesit në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar bëhet në emër të qytetarëve. Nga ana tjetër, demokratët thonë se rritja e taksave në çdo rast ka sjellë rritje të menjëhershme çmimesh. Dhe në këtë rast, bëhet fjalë për biznesin e vogël që zë 95% të peshës së gjithë biznesve.
“Ajo që propozon qeveria është vendosja e TVSH edhe për fashën e bizneseve që shesin me 0 deri në 5 milionë lekë, kjo do të sjellë të paktën një rritje çmimi me 20%, që do të transferohet tek konsumatori, sepse kjo ka qenë tendenca dhe së dyti, në rritjen e shpenzimeve e kostove për biznesin. Kjo ndodhi kur u rrit taksa e qarkullimit, tatim-fitim apo tatimi mbi të ardhurat personale, u transferua tek konsumatorët tek çmimi fundor”.
Demokratët do të jenë të fokusuar në debatin e tyre mbi ekonominë tek konstatimet e FMN për riskun në ekonomi të kontratave partneritet publik-privat që parashikon një rritje borxhi të paregjistruar në 7%. Ndërkohë, ndaj biznesit FMN pohoi një borxh prej 120 milionë dollarësh. Në gjithë këtë kuadër, kur sipas konstatimit të PD-së nuk shoqërohet me rritje konsumi, pagash, dhe nga ana tjetër, ka rënie kreditimi nga biznesi, zonja Tabaku e konsideron manipulim shifrën e INSTAT 4.06% për të paktën dy faktorë:
“Së pari, pjesa që zë ndërtimi në rritjen ekonomike që lidhet me ndërtimin e banesave rezidenciale që lidhet me ndërtimin në Tiranë e qytete të tjera të mëdha, por që nuk shoqërohet me kredi të marrë nga sektori bankar, ç’ka ngre pikëpyetje të madhe se kush janë burimet e këtyre fondeve. Së dyti, rënia e pjesës së investimeve të huaja në rritjen ekonomike, pra TAP e Kaskada e Devollit dhe shqetësimi lind dhe për të ardhmen se çfarë do të ndodhë me investimet e huaja strategjike dhe së treti, rënia e disa sektorëve si p.sh. Call Center, që kanë qenë elementët kryesorë që kanë mbajtur punësimin dhe ndër të rinj”.
Opozita demokrate po ashtu e vlerëson të dretjë një shqetësim të FMN-së për projektin e bashkimit në një të doganeve dhe tatimeve.