Skandali me radarët, Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet

Nënkryetari i LSI, Luan Rama doli para mediave duke denoncuar skandalin me radarët që monitorojnë kufijtë shqiptarë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Rama tha se fikja e radarëve favorizon trafikun e drogës në vend. “Grupi parlamentar mbështeti propozimin tim për të nisur një cikël seancash dëgjimore në Komisionin e Çështjeve të Sigurisë dhe Mbrojtjes në lidhje me një problem që jo vetëm në vlerësimin tim është delikat, i rëndësishëm dhe me një realitet që është problematik dhe që nxjerr në pah jo vetëm mosveprimin, por edhe bashkëveprimin në sensin negativ që ka të bëjë me mosfunksionimi e sistemit të radarëve të monitorimit të hapësirës detare në Shqipëri. Sistemi i radarëve që mbikëqyrin hapësirën detare të Shqipërisë nuk është operacional. Prej 2014-2015 ka dëshmi që ky sistem nuk ka funksionuar dhe Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ka cenuar standardet e NATO-s. Problemi bëhet edhe më i rëndë, dhe më lejoni t’ju them sot që jo vetëm 7 radarët që disponojnë Forcat tona Detare, por edhe 11 radarët që disponon Policia e Shtetit nuk kanë qenë në punë me kapacitete operacionale për të kontrolluar hapësirën detare në Shqipëri. Ky është një problem skandaloz dhe ajo çka duhet bërë është nxjerrja e përgjegjësisë së të gjitha institucioneve që nuk kanë përmbushur detyrën. Në funksion të transparencës unë do t’i propozoj Komisionit të Sigurisë një axhendë takimesh seanca dëgjimore me të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë, titullarët e institucioneve që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë kombëtare”, shprehet ai. Rama e cilësoi të pakuptimtë dhe të pafalshëm mosnisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë. “Nuk është justifikim që nëse unë nuk e kam dërguar zyrtarisht dosjen që kam pranë Prokurorisë që ato mos të fillojnë investigimin e kësaj situate. Duhet të ishte nisur një investim ligjor nga Prokuroria, qoftë edhe kryesisht. Megjithëse ka pasur indicie të kësaj situate. Është e pafalshme që megjithëse janë investuar miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve, situata ka qenë e dëmshme ndaj standardit të sigurisë dhe e favorshme ndaj trafikut të narkotikëve. Lënia jashtë e këtij sistemi me apo pa dashje ka favorizuar trafikun e lëndëve narkotike. Sepse rastësisht qëllon që pikërisht në pikat e njohura nga ku nisen trafikantët e lëndës narkotike në brigjet italiane, në ato zona janë më me probleme dhe nuk funksionojnë radarët. Kjo ka nevojë për masa ndëshkuese në zbatim të ligjit dhe për të krijuar besimin se angazhimi institucional është në funksion të garantimit të parametrave të sigurisë”. Ai foli edhe për reformën zgjedhore, ndërsa tha se ajo duhet të jetë e thellë dhe t’i përgjigjet problematikave të zgjedhjeve të 25 qershorit. Sipas tij reforma duhet të presë lidhjet e politikës me krimin.