Rrëmbimi i Çollakut, 3 oficerë policie dëshmojnë në Gjykatë

Dy specialistë të Krimeve të Rënda të Durrësit dhe një Oficer i Policisë Gjyqësore dëshmuan në seancën e së hënës ndaj Denis Shtrazës tek Krimet e Rënda. Ai po gjykohet për rrëmbimin me pasojë vdekjen të Gazmend Çollakut mbrëmjen e 6 janarit 2016 në qytetin bregdetar.
Oficerët e Policisë rrëfyen para gjykatës se njollat e gjakut në bagazhin e mjetit “MERCEDES ML” me të cilin dyshohet të jetë kryer rrëmbimi, u konstatuan tre javë pas sekuestrimit të tij.
Sipas dëshmitarëve Rebani Farruku, Alfred Hoxha e Lorenc Dervishi, mjeti qëndroi i mbyllur në oborrin e Policisë së Durrësit. Kontrolli fillestar nuk kishte zbuluar gjë të dyshimte. Por, sipas tyre, në momentin kur mjeti është dërguar në pikën e bllokimit të automjeteve në Rrushbull, janë vënë re disa njolla gjaku.
Për këtë shkak “Mercedesi” i Ervin Dalipajt, i vrarë në prill 2017 është rikthyer në ambientet e policisë, ku i është nënshtruar një këqyrjeje të hollësishme. Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se gjaku i gjetur në mjet përputhet me gjakun e gjetur në fashetat me të cilat ishte lidhur viktima Gazmend Çollaku.