Masakra në Butrint, ministrja do të përgjigjet në Parlament

PD do të thërrasë në seancë dëgjimore të mërkurën në Kuvend ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro për skandalin e ndërtimit të një lokali që po bëhet në Parkun Kombëtar të Butrintit. Kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja e PD, Albana Vokshi u shpreh se, ministrja Kumbaro do të thirret të mërkurën në orën 17:00 të raportojë dhe të shpjegojë lejen e ndërtimit në Parkun e Butrintit të mbrojtur nga UNESCO. “Media ka reaguar për ndërtimin e një lokali që po bëhet në Parkun e Butrintit. Zona ku po ndërtohet në Parkun e Butrintit është edhe në UNESCO, duhet që për çdo ndërtim të jetë edhe në bazë të standardeve. Unë i kam dërguar shkresë për informacion ministres, por nuk ka patur asnjë reagim nga ana e saj. Prandaj të kemi kërkuar që të vijë të mërkurën në orën 17:00 për të raportuar. Do i kërkojmë që paraprakisht të na dërgojë pjesën e legjislacionit, të gjitha hapat që janë ndërmarrë për këtë ndërtim dhe do i kërkojmë edhe komunikimin që ka pasur me UNESCO, pasi tha në media se, ka pasur komunikim”, deklaroi Vokshi.
Në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit kanë filluar punimet për ndërtimin e një objekti në brendësi të zonës së mbrojtur. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit. Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët nuk kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit.
Një zyrtar nga Bashkia e Sarandës bëri të ditur se, lokali që po ndërtohet në Butrint është i një njeriu të afërt të kryeministrit Rama ndaj dhe e gjithë zona është rrethuar me policë dhe nuk lejohet askush të futet në Butrint. Pak ditë më parë, një qytetar nga Saranda i dërgoi një mesazh ish-Kryeministrit Berisha dhe fotot e ndërtimit të lokalit në mes të Parkut, duke shkruajtur se ndërtimi që po ngrihet është i Kryeministrit. Sipas UNESCO, brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për dhënien e lejes së ndërtimit në Parkun e Butrintit.
Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh në Shqipëri me Parkun Antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në këtë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
Ndërtimi i lokalit në Butrint është kundërshtuar edhe nga këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Sarandës. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar spjegime se përse nuk ndërhyhet për të ndalur betonizimin në Parkun e Butrintit, por këshilltarët socialistë janë përgjigjur se, “ndërtimi në Park po bëhet me leje nga Ministria e Kulturës dhe nuk mund të ndalohet”. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që të ngrihet një komision nga Këshilli Bashkiak për të ndaluar këtë masakër, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të majtët.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pasi ka vënë në dukje anën skandaloze të vendimeve të Mirela Kumbaros për të ndërtuar një lokal në Parkun e Butrintit, njofton se do të njoftojë me një letër sekretariatin e UNESCO-s.

R.POLISI