Inflacioni mbetet poshtë intervalit të objektivit të Bankës Qendrore

Inflacioni qëndroi në nivelin 1.6% për muajin shtator. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, inflacioni u konfirmua për të dytin muaj radhazi poshtë intervalit të objektivit të Bankës Qendrore.
Ecuria e muajve të fundit vendos në pikëpyetje projeksionet e kthimit të inflacionit në objektiv. Banka e Shqipërisë priste që për këtë vit inflacioni të rritej në nivelin 2.3%, ndërsa vitin e ardhshëm të afrohej te objektivi prej 3% i politikës monetare.
Por, me rënien e muajit gusht inflacioni mesatar vjetor ka zbritur në 2%. Ndonëse rënia e inflacionit lidhet sidomos me faktorë të ofertës, kryesisht me çmimet e lëndëve të para nga importi, sërish kjo goditje mund të ndryshojë skenarët e politikës monetare për vitin e ardhshëm.
Guvernatori Gent Sejko, tha javën e kaluar, se Banka e Shqipërisë nuk përjashton një rritje të mëtejshme të stimulit monetar. Kjo deklaratë ishte e papritur, sepse besohej që ulja e normave të interesit kishte prekur fundin në nivelin 1.25%.
Skenari bazë ishte për një kthim në rritje të normave të interesit gjatë vitit të ardhshëm. Por, goditjet e ofertës në inflacion janë të destinuara të sjellin jo vetëm një shtyrje të normalizimit monetar, por ndoshta edhe një thellim të mëtejshëm të stimulit.
Pjesërisht, rënia e inflacionit shpjegohet edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit ndaj euros dhe dollarit amerikan. Leku më i fortë i bën më të lira importet dhe ul presionet inflacioniste në ekonomi.
Inflacioni në ekonominë shqiptare ngelet kryesisht i përqendruar në grupin e ushqimeve, ndërsa për grupmallrat e tjerë vlerat janë modeste, madje për disa grupe ngelen negative.
Brenda grupit të ushqimeve, rritja e çmimeve ngelet e përqendruar te produktet e freskëta bujqësore dhe blegtorale, ndërsa ushqimet e përpunuara kanë vlera modeste të inflacionit, për shkak të dobësisë së çmimeve të lëndëve të para.