Helmohen sërish nxënësit e shkollës së Gjegjanit

Përsëritet ngjarja e pesë ditëve më parë në shkollën e Gjegjanit të Pukës. Fëmijët që kishin simptoma helmimi janë sëmurë sërish sapo janë rikthyer në ambjentet e shkollës. Aktualisht, ata ndodhen në Spitalin e Shkodrës. Tetë fëmijë të shkollës së bashkuar “Nikoll Lleshi” të njësisë administrative Gjegjan të Pukës u dërguan në Spitalin e Shkodrës të intoksikuar. Shefia e Pedriatrisë, Greta Naraçi thotë se tek fëmijët kanë shfaqur të njëjtat simptoma si përpara 5 ditëve.
Më 4 tetor, 19 fëmijë të shkollës Gjegjan, kanë patur marrje mendsh dhe të vjella. Shkak në atë rast u tha se ishte dizenfektimi që i është bërë shkollës. Fëmijët, pasi kanë marrë mjekim në Spitalin e Pukës u kthyen në shtëpi. 5 ditë më vonë, tetë prej këtyre fëmijëve i janë rikthyer sërish simptomat. Aktualisht, ata po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër.
Edhe pse nuk ka një shkak zyrtar për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra Drejtorinë e Shëndetit Publik Pukë, për shkelje të rregullave të dezinfektimit të shkollës. Fiks Fare u nisë drejt qytetit të Pukës, në fshatin Gjegjan. Në ambulancën e fshatit rreth 30 fëmijë ishin trajtuar me serum, ndërkohë që 3 nxënës ishin dërguar në Spitalin e Rrëshenit dhe 4 në atë të Pukës, për mjekim më të specializuar. Shefi i komisariatit të Policisë Pukë , Pal Marku shprehet se nga hetimet paraprake shkak i helmimit të nxënësve është mungesa e ajrosjes së shkollës pas dezinfektimit. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur edhe Zyra Arsimore Pukë ka marrë masa, duke pezulluar nga detyra drejtoreshën e shkollës së Mesme të Bashkuar të Gjegjanit dhe nëndrejtorin e kësaj shkolle.
Drejtoresha Dilore Nikolli shprehet për gazetarët e Fiks Fare se mëngjesin e datës 4 tetor, rreth orës 6 të mëngjesit personeli sanitar ka bërë pastrimin dhe ajrosjen e shkollës. “Na u tha se efekti i substancës së aplikuar kalon për 3 orë. Nga ora 09:30 fëmijët filluan të kenë probleme dhe ne ndërpremë menjëherë mësimin, por ajrosja dhe pastrimi nga ana jonë është bërë siç duhet”, shprehet Nikolli.
Drejtori i ZA pohoi se vendimi për dezinfektimin e shkollës në ditë jave pas procesit mësimore nuk ka qenë i tyre, por i Drejtorisë së Shëndetit Publik Pukë. Ky i fundit në bashkëpunim me Bashkinë Pukë kanë marrë përsipër të bëjnë dezinfektimin, të cilin sipas ligjit duhet ta bëjë një kompani e specializuar.