Edhe 49 mijë euro shtesë për shëndetësinë elektronike, u shkelën afatet

Sipas raportit përfundimtar të auditimit “Mbi ligjshmërinë, rregullshmërinë dhe vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare për projektin ‘Shëndetësia elektronike e Shqipërisë’”, rezulton që kostot e këtij projekti të jenë rritur si pasojë e mosimplementimit të tij brenda afatit.
Në total për të tre vitet shuma e huasë së disbursuar është 13 mijë euro. Përkatësisht në vitin 2014 është disbursuar shuma 6,5 milionë euro, në vitin 2015 është disbursuar shuma 5,7 milionë euro dhe në vitin 2016 shuma e disbursuar është 702 mijë euro.
Ka mbetur pa u disbursuar shuma 993 mijë euro ose 7% e huasë. Sipas kontratës së blerjes projekti duhet të përfundonte në qershor të vitit 2015, afat i cili nuk ka mundur të përmbushet dhe nga palët është rënë dakord që afati i përfundimit të projektit të jetë fundi i vitit 2016.
Për periudhën e shtyrjes së afatit, pala shqiptare ka përballuar pagesat për tarifën e angazhimit, tarifë e cila paguhet për pjesën e patërhequr të kredisë.
Nëse projekti do të ishte implementuar brenda aftit të përcaktuar në marrëveshjen e blerjes edhe disbursimi i kredisë do të ishte bërë brenda afatit dhe si rrjedhojë nuk do të kishte lindur nevoja e pagesës së tarifës së angazhimit për periudhën pas qershorit të vitit 2015.
Nga kjo periudhë deri në momentin e auditimit Ministria e Financave ka kryer tri pagesa për tarifën e angazhimit në shumën gjithsej 49 mijë euro, shumë e cila ka rritur koston e projektit.