Atambaev anulon vizitën në Rusi

Presidenti i Kirgizisë, Almazbek Atambaev, ka anuluar vizitën e tij në Rusi, në samitin “Komuniteti i Shteteve të Pavarura” (CIS), që do të mbahet këtë javë.
Shërbimi për shtyp i Atambaevit kanë thënë më 9 tetor, se delegacioni i Kirgizisë në CIS, do të udhëhiqet nga kryeministri Sapar Isakov, derisa Atambaev do të qëndrojë në Bishkek.
Atambaev është cituar të ketë thënë se ky ndryshim i planeve është bërë ngase ai po frikësohet për trazira të dhunshme gjatë zgjedhjeve presidenciale më 15 tetor.
“Duke marrë parasysh se… disa politikanë kanë planifikuar protesta në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe elemente kriminale, po ashtu edhe mbështetjen financiare të këtyre kandidatëve nga jashtë, presidenti ka vendosur të ndërpresë vizitën e tij të punës për të garantuar rregull dhe siguri në vend”, ka thënë zyra e Atambaev.