69 vjet nga kryengritja e parë antikomuniste në Zhapokikë

Gjatë ditës së djeshme, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizuan në Zhapokikë të Tepelenës një ceremoni përkujtimore në 69-vjetorin e kryengritjes antikomuniste të Zhapokikës (shtator-tetor 1948). Morën pjesë kryetari SHAKPP, Nebil Çika drejtori i ISKPK, Agron Tufa si dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj dhe Luan Baçi, familjarë të luftëtarëve të lirisë, ish-të përndjekur politikë antikomunistë etj.
Në këtë ceremoni folën kreu i SHAKPP dega Tepelenë, Kastriot Ajdini, sekretari i degës Memaliaj, Bukurosh Ajdini, drejtori i ISKPK, Agron Tufa, deputeti i përndjekur politik, Enkelejd Alibeaj dhe kreu i SHAKPPSH, Nebil Çika. Në fjalën e tyre, ata vlerësuan këtë kryengritje antikomuniste me rëndësi të veçantë historike e politike, e cila është lënë jo pa qëllim jashtë teksteve të historiografisë komuniste e postkomuniste. Zhapokika bashkë me Kelmendin dhe Postribën janë tre lëvizjet kryesore antikomuniste që dëshmojnë faktin se shqiptarët pa dallime krahinore etj., rezistuan ndaj komunizmit, duke sakrifikuar edhe jetën e tyre.
Lëvizja e armatosur e Zhapokikës: shtator-tetor 1948 ishte një kryengritje si reagim i antikomunistë i banorëve të zonës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekja e qartë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.