Varfëria, 62% e shqiptarëve të mbytur në borxhe joformale

Mijëra familje shqiptare marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë, ndërsa e kanë të vështirë t’i shlyejnë huatë e marra në kohë të shkurtra. Gjendja e vështirë ekonomike i ka detyruar kryefamiljarët të marrin veresie, duke hyrë në borxh përditë e më shumë
Shumica e familjeve huamarrëse rreth 78% e tyre nuk presin ndryshim të aftësisë paguese edhe në gjysmën e dytë të vitit 2017
Varfëria, skamja dhe papunësia po përball familjet shqiptare me vështirësi të shumta ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre ka degraduar në luftë për mbijetesë. Në kushte tejet të rënda pamundësie e vetmja shpresë e tyre për të siguruar të paktën bukën e përditshme mbeten borxhet me lista në dyqanet ushqimore. Shumë nga familjet që deri para katër vitesh merrnin asistencë ekonomike, sot nuk e marrin më atë.
Mijëra familje shqiptare marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë, ndërsa e kanë të vështirë t’i shlyejnë huatë e marra në kohë të shkurtra. Gjendja e vështirë ekonomike i ka detyruar kryefamiljarët të marrin veresie, duke hyrë në borxh përditë e më shumë.
Huamarrja është një fenomen i përhapur në ekonominë shqiptare, më shumë se gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht një borxh për të shlyer, ose 62 për qind e tyre, e kanë marrë atë prej burimeve informale jashtë sistemit bankar dhe kryesisht tek persona të tjerë fizikë, që mund të jenë të afërm apo të njohur.
Familjet shqiptare marrin borxhe tek të afërmit për blerje ushqimesh. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë në 6 muajt e parë të këtij viti, kjo formë e huamarrjes zë 40% të rasteve. Në 38% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale banka dhe institucione jobankare në formën e produkteve të kredisë dhe në 62% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash që i marrin tek të afërmit ose tek miqtë. Krahasuar me një 6-mujor më parë, vihet re një tendencë drejt formalizimit të borxhit.
Në raportin e stabilitetit financiar konstatohet se familjet shqiptare fitojnë më pak sesa shpenzojnë. Në 6 muajt e parë të 2017, niveli i të ardhurave të familjeve dhe niveli i shpenzimeve kanë qenë në rritje, por rritja e shpenzimeve ka rezultuar më e madhe duke sjellë ngushtim të balancës financiare të ardhura-shpenzime. Shumica e familjeve huamarrëse rreth 78% e tyre nuk presin ndryshim të aftësisë paguese edhe në gjysmën e dytë të vitit 2017.

Varfëria, 1 në 6 shqiptarë me kredi konsumatorësh

Përafërsisht, një në gjashtë shqiptarë, ka një kredi në një prej bankave tregtare në vend. Të paktën në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sapo ka publikuar anketën e aksesit financiar 2017, që është një ndër mekanizmat më të saktë dhe më të detajuar të fondit, sa i përket aksesit të njerëzve në sektorin financiar në secilën prej 180 ekonomive të ndryshme të botës.
Indikatori që mat numrin e huamarrësve për 1000 banorë, për Shqipërinë fiksohet në 157.8 për vitin 2016, dhe në rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës, kur fiksohej në vetëm 146.94 kreditorë për çdo 1000 banorë, çka përkthehet në 1 në 7 shqiptarë përafërsisht.
Të dhënat e fondit monetar ndërkombëtar për këtë indikator janë ndër vite, dhe paraqesin një situatë mjaft interesante. Rezulton se, në vitin 2005, pra 12 vite më parë, vetëm 1 në 31 shqiptarë, kishte një kredi. Përveç viteve 2009, 2013 dhe 2015, në të gjitha vitet e tjera, indikatori ka pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.
Të dhënat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar argumentojnë me shifra nevojën në rritje për financim, lehtësinë e kredidhënies nga bankat tregtare me kalimin e viteve, paçka se, bëhet fjalë për një periudhë të shkurtër kohe, afro një dekadë, si dhe evoluimin e ekonomisë shqiptare, e sidomos asaj familjare gjatë kësaj periudhe kohore.