Tare: Kundër Italisë do mbështes vendim tim

Një shqiptar në qendër të vëmendjes së futbollit italian. Nuk bëhet fjalë për një lojtar, por për një ish-lojtar që pasi realizoi ëndrrën për të luajtur në Serie A shumë vite më parë vazhdoi rrugën si drejtues dhe në postin e drejtorit sportiv të Lazios po bën gjëra të pabesueshme. Është ai arkitekti i ringritjes së klubit bashkë me presidentin Claudio Lotitto, i cili i beson verbërisht, duke i lënë në dorë çelësat e skuadrës dhe merkatos. Igli Tare është tashmë një simbol i njeriut të talentuar dhe punëtor, që shfrytëzon çdo mundësi dhe moment për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe ta prezantojë në treg si të barabartë përballë klubeve me buxhet disafish më të madh. Lista e goditjeve të mëdha me buxhet të vogël është e gjatë, por i fundit që ka spikatur është mesfushori Luis Alberto. Spanjolli u afrua te Lazio një vit më parë për diçka më shumë se 5 milionë euro dhe këtë sezon po rezulton një nga zbulimet e Serie A.
Tare ndalet edhe te ndeshja Shqipëri-Itali duke shkëputur pak fjali, por shumë domethënëse: “Jam adoptuar profesionalisht nga Italia, por do të jem përherë shqiptar. Shqipëria është atdheu im dhe shpresoj që të fitojë kundër Italisë, sepse për ne shqiptarët kjo është një ndeshje që e presim prej shumë vitesh. Më vjen keq që do të luhet në momentin e gabuar, pasi do të dëshiroja të isha edhe unë në fushën e lojës. Do të shkojmë të gjithë në stadium për të bërë tifo për flamurin dhe vendin tonë”, thekson me krenari Tare. Ndërkohë edhe trajneri Simone Inzaghi që është gjithashtu një prej emrave ku Tare ka investuar më shumë besim, shkëput fjalë të ëmbla për drejtuesin shqiptar, duke theksuar fillimisht se ishte pikërish Tare që këmbënguli për të blerë Luis Alberton dhe koha po i jep të drejtë.