Ndërtimet pa kriter ulin çmimet e banesave

Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka shënuar rënie. Vlerësimi i situatës në tregun e pasurive të paluajtshme u bë nga Banka e Shqipërisë përmes një vrojtimi në terren të një kampioni të përbërë nga 230 agjentë imobiliarë dhe shoqëri ndërtimi, të cilët përfaqësojnë rreth 75-80% të sektorëve përkatës për nga madhësia e aktivitetit.
Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka shënuar rënie. Balanca neto ishte pozitive, duke treguar më pak prona të pashitura, për herë të dytë radhazi që nga koha e fillimit të vrojtimit, pavarësisht se me vlera më të moderuara në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar.
Nga ana tjetër, indeksi i çmimit në rang vendi është 7% më i ulët nga periudha e kaluar. Për Tiranën, indeksi ra lehtë kundrejt periudhës bazë me 2.2%, dhe me 16.7% ndaj periudhës paraardhëse. Për zonat bregdetare, agjentët kanë raportuar çmime mesatare më të ulëta sesa ato të periudhës bazë, por rreth 7% më të larta se gjashtëmujorin e kaluar.
Koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 10 muaj ose rreth 3.7 muaj më e shkurtër se në gjashtëmujorin e kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.5 muajsh, ndjeshëm më e ulët krahasuar me 13.8 muaj të raportuar në gjashtëmujorin e kaluar.
Për zonën e bregdetit, koha e shitjes është rritur nga 8.4 muaj në rreth 11.7 muaj, ndërsa për zonat e tjera, subjektet kanë raportuar rënie të qenësishme të kohës së shitjes me periudhën paraardhëse; nga 15 muaj në 9.7 muaj.
Sipas agjentëve, rreth 72% e pronave për banim dhe për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rritje të lehtë në krahasim me vlerën prej 68% të raportuar në periudhën paraardhëse.
Agjentët imobilarë janë optimistë për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe ndjeshëm më pozitivë për periudhën afatgjatë (deri në dy vjet). Numri i pronave që pritet të regjistrohen për shitje gjatë periudhës në vazhdim, pritet të shënojë rënie, teksa agjentët presin rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme.