Italia “paguan” emigrantët për t’u kthyer në atdhe, përfshihen edhe shqiptarët

Vetëm pak ditë më parë, raporti i PWc tregoi se shqiptarët kryesonin listën e azilantëve të 2015 dhe 2016 që ishin ende në pritje të përgjigjes së tyre të qëndrimit. Ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2017, Eurostat raportoi se 6,000 shqiptarë aplikuan rishtas për azil, duke u renditur të gjashtët pas vendeve të Lindjes së Mesme dhe atyre afrikane, për numrin e lartë të azilkërkuesve. Në të njëjtën kohë, Italia, fqinja jonë tek e cila numri i emigrantëve shqiptarë është i konsiderueshëm ndër vite, ka shpallur një projekt të ri, i financuar nga Ministria e Brendshme italiane, me bashkëpunim të Fondit Europian të Azilit, Migrimit dhe Integrimit, ku ndihmohen ekonomikisht të gjithë të huajt jokomunitare për rinisjen e një jetë të re në atdhe. Projekti “Back to the future”,i Gruppo Umana Solidarietà, mbështet konkretisht ata që vendosin të kthehen (duke përfshirë edhe shqiptarët), duke u ofruar pagesën e biletës së kthimit, një shumë të vogël për nevojat e para dhe një mbështetje të personalizuar për riintegrimin e të kthyerve në Atdhe. Sipas njoftimit të projektit të afishuar në faqen e internetit të projektit (http://rimpatri.gus-italia.org/), mund të përfitojnë të gjithë ata që kanë një leje qëndrimi, ata në pritje për ta marrë apo atyre që u është refuzuar, por nuk mund të marrin pjesë ata që kanë përfituar më parë nga programe të ngjashme riatdhesimi vullnetar të ndihmuar.