Ish-ministri i Brendshëm: Grupi kriminal i Elbasanit ka mbështetje politike

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ka reaguar pas deklaratës së fortë të ambasadorit amerikan Donald Lu.
Në një intervistë për Tpz.al, Demiraj hodhi akuza duke thënë se bandat janë në mbështetje të hapur të Partisë Socialiste, dhe se interesi mes njëra-tjetrës, është i ndërsjelltë.
“Prej kohësh, Shqipëria, jo sot, por prej 4 vitesh, e vërteta është se në territorin e Shqipërisë komandojnë disa banda, të cilat dolën haptazi në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Ngjarje, të cilat janë identifikuar nga ne dhe janë raportuar në të gjitha raportet, por dhe në raportet e OSBE ODHIRi-t, i cili doli 4 ditë përpara. Në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, disa drejtues të Policisë së Shteti, të cilët haptazi e kanë mbështetur Partinë Socialiste, këto banda kanë pasur lirinë e veprimit, pasi dihet që prej kohësh një pjesë e tyre ka siguruar një sasi jo të vogël votash për Partinë Socialiste.” , u shpreh Demiraj.
Demiraj cilëson Komisariatin e Dibrës, Shkodrës, Lezhës dhe Pukës, si më problematikët në mos ushtrimin e kontrollit të territorit dhe mos zbatimin e ligjit.
“E në këtë kontekst, do vinte një ditë që sot, Ministri i Brendshëm z.Xhafa ka filluar të shtrëngojë masat dhe krimi duke qenë nën presionin e Policisë së Shtetit, ka filluar të reagoje. Kemi pasur komisariate, si komisariatet e Dibrës, komisariatet e Shkodrës, Lezhës, Komisariatin e Pukës, të cilat në kuptimin e keq të fjalës, janë shquar në raport me komisariatet e tjera për mos ushtrimin e kontrollit të territorit, mos zbatimin e ligjit, mos arrestimit.”, deklaron ish Ministri i Brendshëm.
Ish-ministri Demiraj, e dënon heshtjen e policisë në lidhje me ngjarjen e Elbasanit dhe rasteve kur grupet kriminale kanë përkrahje politike.
“Kemi probleme në qytetin e Elbasanit, e kemi bërë prezent në disa raste, të cilët kanë mbështetje politike. Nuk ka asnjë lloj shansi, as një person, asnjë grup kriminal në Shqipëri që të dale mbi Policinë dhe Shtetin. Në asnjë rast, nuk mundet, që grupe të tilla kriminale, të veprojnë në rast se nuk kanë mbështetje politike. Unë nuk mund të them konkretisht nga kryeministri, por kryeministri ka për detyrë, që të urdhërojë policinë, të urdhërojë Ministrin e Brendshëm, që të ushtrojë kontroll të territorit. Kemi disa ngjarje që nuk ka persona të ndaluar, madje, madje një pjesë të rasteve dhe emra konkret. Kjo është e pafalshme”, përfundon Dritan Demiraj.