Spanja humbet yjet para Shqipërisë

Pas Moratës dhe Carvajal, Spanja rrezikon të humbasë edhe Iniestën. Italia në alarm, mungojnë Belotti dhe Verratti, lëndim i lehtë për Candrevan. Spanja dhe Italia humbasin disa nga yjet e tyre përpara ndeshjeve kualifikuese me Shqipërinë. Edhe pse në letër përballja me dy skuadrat kampione të botës mund të duket e pamundur, zhvillimet e fundjavës mund t’i japin shpresë kuqezinjve. Situata është më alarmante te Spanja, kundërshtari me të cilin kombëtarja do të luajë më 6 tetor në Alikante. Sikur të mos mjaftonte situata kaotike e krijuar nga referendumi i Katalonjës, listës së mungesave në skuadrën e Julen Lopetegui i është shtuar Andres Iniesta. “Truri” i Barcelonës u lëndua në përballjen e fituar 3-0 me Las Palmas. 33-vjeçari u aktivizua nga stoli në startin e pjesës së dytë, por në minutat e fundit të ndeshjes u largua nga fusha i dëmtuar. Në orët në vazhdim mesfushori do t’i nënshtrohet vizitave të specializuara për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit.
Iniesta është lojtari i radhës i dëmtuar te përfaqësuesja spanjolle, pas sulmuesit Alvaro Morata. Lojtari i Chelsea-t u dëmtua në pjesën e pasme të kofshës në minutën e 34 të takimit me Manchester City-n dhe sipas trajnerit Antonio Conte edhe pse lëndimi nuk është serioz, sulmuesi mund të mungojë për Spanjën. Një tjetër mungesë për iberikët do të jetë edhe ajo e mbrojtësit të Realit të Madridit, Dani Carvajal, i cili vuan nga një virus që i ka shkaktuar edhe probleme me zemrën. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht edhe nga klubi madrilen, me Carvajal që pritet të qëndrojë të paktën gjashtë javë jashtë fushave të lojës.
Probleme me dëmtimet ka edhe Italia, kundërshtari i Shqipërisë në sfidën e 9 tetorit në “Loro Boriçi”, që mbyll edhe kualifikueset e Botërorit 2018. Shqetësimi më i madh i të kaltërve lidhet me gjendjen e sulmuesit titullar, Andrea Belotti. Pak minuta përpara fundit të ndeshjes ku Torino barazoi me Veronën, lojtari u largua nga fusha me barrelë prej probleme në gju. Belotti ishte dukshëm i shqetësuar, ndërsa trajneri Ventura dhe e gjithë Italia janë në ankth. Edhe pse pritet diagnoza e saktë e dëmtimit, sipas gjasave sulmuesi do të mungojë në ndeshjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Problemi te Italia bëhet edhe më serioz nga problemet muskulore të Marco Verratti-t, i cili nuk i është bashkuar grumbullimit të skuadrës në Koverçano. Në këtë situatë, për të zëvendësuar Belottin dhe Verratin, trajneri Ventura grumbulloi në ekip sulmuesin e Kievos, Roberto Ingleze dhe mesfushorin e Kaljarit, Nikolo Barrela.
Tjetër i dëmtuar për të kaltërit është edhe Antonio Candreva. Lojtari i Interit u largua nga fusha në minutën e 51-të në sfidën ndaj Beneventos për shkak të një lëndimi në dorë. Gjendja e 30-vjeçarit do të vlerësohet në orët në vijim, edhe pse situata e tij duket më pak serioze se ajo e shokëve të skuadrës.