Shqiptari kapet në Itali me 32 kg heroinë, i zbulohet arsenal armësh

Një operacion bliz i Guardia di Finanza në Como ka çuar në sekuestrimin e një sasie prej 32 kg heroinë dhe arrestimin e një shqiptari. Droga është zbuluar nga policia gjatë një kontrolli normal rrugor. Punonjësit e policisë kanë ndaluar një shtetas shqiptar që duke iu përgjigjur pyetjeve rituale ka treguar një nervozizëm të tepruar, duke dhënë edhe informacione fragmentare.
Pasi kanë gjetur një kaçavidë në kroskotin e makinës, policët kanë menduar se mund të kishte një fund të dyfishtë dhe janë thelluar në një kontroll më të imtësishëm të makinës. Ata kanë zbuluar dy funde të dyfishta në brendësi të makinës, njëri nën kambio, ku nuk ka pasur gjë dhe tjetri pas kroskotit. Në brendësi ishte një revolver me municione që nga kontrolli rezultoi e vjedhur në vitin 2010.
Më pas, ushtarakët kanë gjetur një tufë me çelsa të shtëpisë së shqiptarit në një lagje në Brembate, në provincën e Bergamos. Aty kanë zbuluar një laborator të vërtetë droge. Në brendësi janë gjetur 63 pako me heroinë, në total mbi 32 kg. Po kështu u gjetën edhe dy pistoleta, nga të cilat njëra e përshtatur me silenciator dhe me matrikull gjysmë e gërvishtur; 108 fishekë të kalibrit të ndryshëm, mbi 40 kg substancë përzierës dhe të gjitha mjetet e përdorura për drogën.
Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe 2 autovetura të shqiptarit që ka rezultuar me precedentë penalë për armëmbajtje.