Pique paralajmëron largimin nga Spanja

E cilësoi si ndeshjen më të vështirë të karrierës Gerard Pique atë të luajtur në “Camp Noun” e boshatisur për shkak të tensionit të krijuar në ditën e referendumit për pavarësinë e Katalonjës. Mbrojtësi i Barcelonës, një përkrahës i flaktë i pavarësisë së krahinës katalanase ka pasur jo pak herë fërkime me lojtarët spanjollë kundër kësaj ideje dhe ky fakt i ka krijuar jo pak probleme edhe në kombëtaren e Spanjës. “Mendoj se mund të vazhdoj me Spanjën, por nëse drejtuesit e skuadrës mendojnë se unë jam një problem, do të bëj një hap pas dhe do të largohem nga kombëtarja përpara vitit 2018. Sot ndihem katalanas më shumë se çdo ditë tjetër dhe jam shumë krenar për mënyrën se si po sillen katalanasit.
Votimi është një e drejtë që duhet mbrojtur”, deklaroi Pique pas ndeshjes së kampionatit ndaj Las Palmas, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në mes të një momenti delikat. Pique shkon edhe më tej duke kritikuar sjelljen e dhunshme të policisë, duke shtuar se njerëzit nuk janë dakord me atë çfarë po ndodh në Katalonjë sepse ata besojnë te demokracia. Pique është aktivizuar në 91 ndeshje me Spanjën, por referendumi i Katalonjës e ka bërë atë një nga figurat më të urryera në pjesën tjetër të Spanjës. Shpeshherë ai është sulmuar verbalisht në qytete të ndryshme nga mbështetësit e unionit, ndërsa shoku i repartit, Sergio Ramos i ka kërkuar që të tregojë respekt ndaj vendit të tij.