Përse Rama po hesht, në axhendë largimi tij?

Shtetet e Bashkuara i tregojnë vijën e kuqe Ramës për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Uashingtonit i ka sosur durimi me njehsimin e pushtetit me krimin dhe rënien e vendit në duart e krimit të organizuar dhe ka vendosur të reagojë fort duke paralajmëruar një fortunë në ditët dhe javët e ardhshme, e cila nuk do të kursejë më as qeverinë. Eshtë e pakuptimtë se si Rama ka heshtur pas mesazheve të forta amerikane përmes ambasadorit Lu. Burime nga mazhoranca flasin për një afat që i është vendosur Ramës për të neutralizuar emrat kryesorë të krimit të organizuar dhe nëse plani nuk arrihet brenda këtij afati që besohet të jetë tre deri në katër muaj, atëhere në axhendë është largimi i Ramës.
Ambasadori amerikan Donald Lu tha dje se është koha që qeveria shqiptare t’i shpallë luftë krimit të organizuar. Duke folur në ceremoninë e 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, ambasadori Lu tha se “drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht”.
Ambasadori Lu, citoi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, kur tha se “Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që manaxhojnë operacione kriminale, ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallrat kontrabandë. Vendi ndihet në rrezik domethenës nga pastrimi i parave për shkak të një korrupsioni të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”.
Ambasadori amerikan theksoi se, Shqipëria ka bërë përparim domethënës vitet e fundit, duke përmendur procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve që do të nisë javën e ardhshme, apo në luftën kundër kultivimit të marijuanës, por “sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara”, nënvizoi ai.
Sipas ambasadorit amerikan “derisa peshqit e mëdhënj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen”. Ai solli dhe raste konkrete të emrave të njohur kriminelësh që në një mënyrë ose një tjetër i kanë shpëtuar sistemit të Drejtësisë, apo drejtojnë aktivitetet kriminale dhe kur janë të arrestuar. “Trafikanti i drogës si Emiljano Shullazi, për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Apo Lulzim Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që u lirua gabimisht herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe juristit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha gjendet i lirë. Dhe së fundi, Klement Balili, një trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA, por që ja ka dalë t’i shpëtojë Drejtësisë shqiptare për 18 muaj, falë paaftësisë së prokurorëve, policisë, dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka shumë Shullazë, Lul Berisha e Klement Balilë në Shqipëri”, u shpreh ambasadori.
Zoti Lu, kujtoi gjithashtu se “në vitin 2016 policia arrestoi 1346 persona për kundërvajtje të lidhur me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Më shqetësues është fakti se kishte zero arrestime, zero dënim, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për furnizim, financim apo drejtim të organizatave kriminale të trafikut të drogës gjatë vitit 2016”.
Ambasadori amerikan u shpreh se, “është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë shumë e egër. Të arrish rezultate në luftën kundër krimit të organizuar kërkon durim, guxim dhe sakrificë”.