Ndalet Juventusi

Pritja e Etrit Berishës i siguroi Atalantës një pikë të artë në betejën e këtij sezoni në Serie A. Numri 1 i portës bergamaske ndali lojtarin më në formë të momentit, Paulo Dybala vetëm pak minuta përpara fundit nga pika e bardhë duke u kthyer në kryefjalë të mediave pranë ekipit zikaltër. Vetë portieri i kombëtares shqiptare e komenton si një lëvizje të menduar atë ndërhyrje në intervistën dhënë për mediat e vendit fqinj. “E vendosa nga do të hidhesha në momentin që po bëhesha gati. Edhe pse e kam studiuar sesi ai i godet penalltitë, ishte shumë e vështirë, por prita deri në fund dhe mundova ta mbyllja hapësirën me topin”, thekson Berisha.
Në vijim ai komenton edhe ecurinë e ndeshjes duke theksuar se në rastin e golit të parë ishte në mëdyshje nëse duhej ta priste apo ta grushtonte topin”. Berisha ndalet më tej edhe te çështja e sistemit VAR, duke shtuar se ky sistem kërkon kohë dhe lojtarët duan kohë të mësohen, por edhe vetë mënyra e funksionimit duhet të jetë më e shpejtë për të mos harxhuar kohë. Me paraqitjet e këtij sezoni, Berisha është bërë një nga pikat e referimit në skuadrën e Gasperinit që po mahnit në Europë, por edhe në Serie A nuk e ka ulur rendimentin, pavarësisht disa largimeve të rëndësishme në merkaton e verës.
Etrit Berisha i shkaktoi Juventusin ndalesën e parë në Serinë A. Portieri shqiptar neutralizoi penalltinë e Paulo Dybala gjashtë minuta përpara fundit të ndeshjes dhe i dhuroi Atalantës një pikë pas barazimit 2-2 me kampionët e Italisë. 11-metërshi i pritur nga Berisha ishte vetëm i fundit nga episodet e një dueli të jashtëzakonshëm, i akorduar nga gjyqtari Damato pas konsultimit me teknologjinë në fushë.
Një provë force e Atalantës, që rikuperoi disavantazhin me dy gola, pasi Bernardeschi dhe Gonzalo Higuain në harkun e tri minutave shfrytëzuan pasiguritë e mbrojtjes vendase. Atalanta u kthye në lojë me rrjetën e Caldaras në të 31-ën, pas gabimit të Buffon, por episodi që ndryshoi rrjedhën e lojës ishte ai i minutës së 58-të, kur me ndihmën e teknologjisë në fushë, arbitri anuloi golin e Mandzukiç. Asisti u shfrytëzua nga zikaltërit, që barazuan rezultatin me Cristanten, i shërbyer në mënyrë perfekte nga kapiteni Alejandro Gomez.