Marek Hamsik, rekord dhe spektakël

116 herë Marek Hamsik. Rekordi që dukej si një magji e pathyeshme tashmë është realitet, është një ëndërr e realizuar. Duke filluar nga data 1 tetor 2017 princi në përrallën e Napolit nuk është më Diego Armando Maradona. Argjentinasi legjendar është lënë pas pikërisht nga sllovaku Hamsik. Arritja e kapitenit sot 30-vjeçar dukej e paimagjinueshme, 10 vjet më parë kur ai veshi për herë të parë fanellën e kaltër duke u vënë në dispozicion të Edy Rejas për sezonin e parë në Serinë A. Shkëlqeu që në fillim duke vërtetuar se drejtuesit e kaltër kishin patur një intuitë të shkëlqyer e duke treguar se ishte i destinuar për t’u ngjitur lart.
Në sezonin e tij të 11 për jugorët e Napolit Marek Hamsik theu një rreth vicioz që mbante emrin Maradona. Me golin e tij të 116 tashmë është kthyer në ikonën e re të Napolit. Dikur fëmijët e këtij qyteti quheshin Armando tashmë duket se do të stilohen si Hamsik. Në të vërtetë jo vetëm Hamsik, por edhe skuadra e Napolit ka prenotuar mbiemra të mrekullueshëm, shkatërrues dhe të papërmbajtshëm që tashmë i sheh të gjithë rivalët e Serisë A nga lart poshtë. Skuadra e Sarrit vjen me shifra të frikshme që bëjnë të rikshkruhen statistikat. Me Napolin që është kthyer në ekipin e parë në historinë e Serisë A që fiton 7 ndeshje radhazi në fillim të sezonit me rreth 25 gola të shënuar. Mesfushori Hamsik shprehet:
“7 fitore në 7 ndeshje është diçka e jashtëzakonshme, rruga është ende shumë e gjatë, por ne do ta provojmë dhe kemi besim. Kundër Cagliarit luajtëm shumë mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Kjo është skuadra më e fortë dhe më e bukur me të cilën kam luajtur”, u shpreh ai. Tetori do të jetë një muaj domethënës për Napolin, ndërkohë që Hamsik, i duhet edhe fitorja në kampionat për t’u reshtuar përgjithnjë në krah të djathtë të Diego Armando Maradonës.
Vazhdon momenti negativ i Milanit, që u thye 2-0 në shtëpi nga Roma dhe largohet nga zona e lartë e klasifikimit. Me pjesën e parë të sfidës që u dominua nga frika për të mos humbur, skuadra e Montelës ngriti ritmin e lojës, por në momentin më të mirë e pa veten në disavantazh. Në të 72-ën, Edin Dzeko theu Donnarumman. Goditje e rëndë psikologjike për kuqezinjtë, që nuk kishin as kohën për të provuar të riktheheshin në lojë.
Pesë minuta më pas, Florenzi mbylli virtualisht ndeshjen, ndërsa Milani e mbylli me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Çalhanoglu. Humbja e tretë në shtatë javë, me stolin e Montelës që tashmë është në rrezik.