Luajmë për rezultat

Me përultësi dhe i vetëdijshëm se ndaj Spanjës dhe Italisë nuk është aspak e lehtë, por me guximin dhe mentalitetin e një emri të madh, që nuk pranon të niset i dorëzuar. Christian Panuçi ka besim se Shqipëria do të provojnë shanset e saj përballë dy kampioneve të botës. “Me Spanjën dhe Italinë janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për imazhin e Shqipërisë. Janë dy skuadra më të forta se ne, por futbolli na tregon se edhe përballë më të mirëve mund të bësh diçka të rëndësishme. Këto janë ndeshje që i sheh e gjithë bota, duhet të luajmë plot krenari dhe dëshirë, sepse ndeshjet nisin 0-0. Dua 11 luanë në fushë. Ne do të provojmë të marrim rezultat, sepse përveç kënaqësisë kjo do t’i jepte imazh shumë të mirë Shqipërisë. Kemi respekt për këta kundërshtarë, por nuk më pëlqen të dëgjoj që rivalët janë më të fortë ende pa luajtur. Ai që shfaqet i dorëzuar nuk do të aktivizohet. Natyrisht që ndeshja me Italinë më emocionon, ashtu si edhe ajo me Spanjën, ku kam kaluar etapën më të rëndësishme në karrierë. Megjithatë, personalisht më intereson vetëm Shqipëria, jam i fiksuar te suksesi i ekipit kombëtar”, tha Panuçi.
Përballë dy rivalëve ku skuadra ka pak nevojë për motivim, Panuçi premton se do të hedhë në fushë më të mirët, me kurajë për të provuar t’i godasë kundërshtarët sa herë të jepet mundësia. “Ndeshje të tilla mbahen mend gjithmonë dhe uroj që lojtarët e mi të kenë dëshirën të ndryshojnë historinë. Ende nuk e kam vendosur formacionin titullar, por edhe nëse do të më duhet të marr vendime të vështira, do të luajnë ata që kanë më tepër dëshirë. Kemi respekt për Spanjën dhe Italinë, por do të provojmë t’i ndëshkojmë. Kundër Spanjës është e vështirë të luash mirë, sepse e zotërojnë topin 70 për qind të kohës dhe në fushë luajnë gjithmonë ata. Duhet kujdes, sepse ata shfrytëzojnë çdo detaj të vogël. Ne do të provojmë të luajmë futboll dhe të shfaqim kurajo. Preferoj të humbas, por duke qenë kurajozë. Të jemi realistë, Spanja është e fortë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka si në Francë-Luksemburg. Ndaj Spanjës nevojitet edhe fati, por duhet të jemi shumë solidë në mbrojtje. Sa herë që do të kemi topin, duhet të shfaqim kurajë dhe të provojmë t’i godasim”, tha ai.
Trajneri kuqezi provoi të ulë edhe euforinë, përsa i takon shanseve të kombëtares, duke vlerësuar mungesat e yjeve te rivalët. “Spanja ka shumë lojtarë të mirë. Lopetegui fle disa orë më tepër se unë, edhe pse disa yje janë të dëmtuar. Carvajal, Iniesta, Morata janë të lënduar, Busquets i pezulluar dhe ka një çështje Pique, por spanjollët kanë një kontingjent që mund t’i mbulojnë edhe 3-4 mungesa. Mbetet një ndeshje shumë e vështirë.
Në anën tjetër nuk dëshiroj të flas rreth çështjeve politike. Ndjej keqardhje për atë që po ndodh në Spanjë, por ne mendojmë të luajmë futboll dhe të provojmë të hedhim në fushë ekipin më të mirë edhe pse kemi mungesat e Mavrajt, Kukelit dhe Roshit. Te Italia mungon Verratti dhe Belotti e De Rossi janë në dyshim, megjithatë për atë ndeshje do të nis të mendoj nga e shtuna e ardhshme”, u shpreh Panuçi.
Arlind RAMA