Fitore e detyruar ndaj Shqipërisë

Italia i mbyll kualifikueset e Grupit G në Botërorin 2018 në emergjencë të plotë dëmtimesh. Megjithatë, trajneri Giampiero Ventura nuk e fsheh atë që është objekti i skuadrës së tij. Të kaltërit synojnë fitore përballë Maqedonisë dhe Shqipërisë, për t’u kualifikuar të paktën në fazën play off. “Do të jetë katastrofë nëse nuk shkojmë në Botërorin 2018 në Rusi. Tavecchio dhe Malagò kanë të drejtë kur thonë se do të ishte e rëndë nëse nuk kualifikohemi. Nuk mendoj për fazën play off. Jemi të përqendruar vetëm te dy ndeshjet e radhës, më pas do të bëjmë vlerësimet tona, në bazë të kudërshtarit që mund të kemi përballë”, u shpreh Ventura.
Dëmtimet e Verrattit, De Rossit dhe Pellegrinit kanë bërë që “të kaltërit” të humbasin mesfushën, ndërsa peshon edhe mungesa e Belottit, pavarësisht se në sulm Ventura beson që ka kualitetin e duhur.
“Dëmtimet e lojtarëve janë situata që ndodhin. Së fundmi Verratti dhe De Rossi ishin titullarë në mesfushë, ndërsa Pellegrini alternativë e parë. Të tre janë futbollistë të rëndësishëm që do të na mungojnë, zgjedhjet në këtë repart i kemi të detyruara, por besoj se ata që do të luajnë do të tregojnë kualitetin. Ndërsa në sulm, megjithë dëmtimin e Belottit, kemi lojtarë që mund të luajnë si Immobile, Eder dhe Gabbiadini. Nuk ka rëndësi moduli i lojës, sepse idetë mbeten të njëjtat, çështja është se kemi vetëm 48 orë në dispozicion për t’u përgatitur ndërmjet ndeshjeve”, tha trajneri i Italisë.
Tashmë është zyrtare: më 9 tetor në “Loro Boriçi”, Italia do të luajë pa dy yjet e skuadrës, Marco Verrattin dhe Andrea Belottin. Pas fantazistit të Paris Saint Germain që vuan një dëmtim muskulor, edhe sulmuesi i Torinos nuk do të jetë për “të kaltërit” në sfidat e fundit kualifikuese të Botërorit 2018. Belotti u largua nga fusha me barrelë, në ndeshjen ku Torino barazoi këtë të diel në shtëpi me Veronën. Sulmuesi u dëmtua në gjurin e djathtë dhe në fytyrën e tij dukej qartë dhembja dhe zhgënjimi. Pas kontrolleve të specializuara mjekësore, u përjashtua rreziku i këputjes së ligamentit, megjithatë 23-vjeçari nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Ventura për duelet me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Belotti u largua nga grumbullimi i përfaqësueses italiane dhe u kthye në klubin e Torinos, ku do të vazhdojë periudhën e rehabilitimit, edhe pse ende nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për gradën e dëmtimit dhe kohën që sulmuesi duhet të qëndrojë larg fushave.
Verratti dhe Belotti u zëvendësuan në skuadër nga mesfushori i Cagliarit, Nicolò Barella dhe sulmuesi i Chievos, Roberto Inglese, ndërsa në dyshim te Italia është edhe kapiteni i Romës, Daniele de Rossi. Mesfushori vuan prej një kisti në meniskun e gjurit, problem me të cilin bashkëjeton prej vitesh. Sipas stafit mjekësor të përfaqësueses italiane, De Rossit i nevojitet rreth një javë pushim. Kjo periudhë bën që sipas gjasave edhe 34-vjeçari të largohet nga grumbullimi, ndërsa zëvendësuesi i tij pritet të jetë Roberto Gagliardini i Interit.