Basha: Vendi në prag të greminës, plani i PD, largimi i kartelit politik nis nga Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar dje krijimin e një fronti të fortë opozitar bashkë me qytetarët me qëllim ringritjen e vendit dhe largimin e kartelit politik që sot qeveris vendin. Pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, Basha tha se, largimi i kartelit politik në qeveri do të nisë me largimin e Ramës, ndërsa bëri të ditur se PD do të konkretizojë betejën e saj kundër krimit të organizuar përmes një plani politik të detajuar në hapat dhe aksionet që do ndërmerren.
“Partia Demokratike po përgatit një plan politik dhe ligjor për të nisur sëbashku me të gjithë shqiptarët e ndershëm, pa dallime politike, një luftë, e cila mund dhe duhet të ketë vetëm një përfundim: Mposhtjen e krimit të organizuar. Dhe për këtë duhet patjetër të mposhten mjeshtërisht dhe ustallarët e tyre politikë. T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar, do të thotë t’i kërkosh të luftojë vetveten. Mendoj se kjo është e tepërt. Ndaj detyra jonë është të bëhemi së bashku në një front të gjerë opozitar dhe në një aleancë të vlerave me të gjithë qytetarët shqiptarë, e ardhmja e të cilëve, e ardhmja e fëmijëve të të cilëve cenohet rëndë nga krimi i organizuar me pushtet. Dhe t’i japim vendit zgjidhjen e vetme të kësaj gjendje, që është largimi i kartelit politiko-kriminal me në krye kryeministrin e votave të blera, të mazhorancës fiktive dhe të Parlamentit ilegjitim”, u shpreh kreu i PD.
Nga ana tjetër, Basha iu referua raportit të OSBE si dëshmia më e qartë e asaj që ndodhi me zgjedhjet e 25 qershorit dhe faktit se sot shqiptarët po i qeveris një shumicë e zgjedhur me vota të blera e të deformuara. Blerja e votave, tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve, influenca e bandave kriminale dhe ndikimi i këtyre fenomeneve në rezultatet e zgjedhjeve, e pranuar tashmë nga OSBE për kreun e PD, Basha janë fakte që kanë si përgjegjës Edi Ramën.
“Në qendër të vëmendjes ka qenë raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, çështja e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe konfirmimi i të vërtetës së njohur botërisht nga shqiptarët, se sot Shqipëria nuk qeveriset, por sundohet nga bandat dhe nga klanet mafioze. Raporti i OSBE/ODIHR-it e thotë qartë. Fakti i parë është se vota në 25 qershor u ble, u dhunua, u tjetërsua. Fakti i dytë është se vota u ble, u dhunua dhe u tjetërsua nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste. Fakti i tretë është se blerja, dhunimi dhe tjetërsimi i votës nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste u bë përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe ndihmës së bandave kriminale dhe klaneve kriminale të krimit të organizuar anembanë Shqipërisë”, tha Basha.
Basha paralajmëroi se PD është duke ndërmarrë këtë plan masash për të shpëtuar vendin, i cili sot për shkak të krizës së rënduar sidomos, ekonomike dhe sociale është në prag të greminës.
“Qytetarët e kanë fare të qartë se, kur një qeveri del nga shitblerja e votës, kur një qeveri vjen në pushtet me votat e blera, edhe vetë qeveria është e blerë. Se kur përdoren kriminelët për të blerë, për të shantazhuar, për të dhunuar, për të mbledhur votat e qytetarëve, qeveria do t’i përkasë kriminelëve dhe jo qytetarëve. Vendi është në prag të një gremine, është një katastrofë totale përsa i përket shtetit ligjor dhe demokracisë dhe është në prag të një gremine të paimagjinueshme në këto 27 vite. Kjo është një këmbanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm”, u shpreh kreu i PD.