Si u fsheh kërkesa e Interpolit për shefin e policisë të dënuar me 10 vite burg

Shefi i policisë, Dritan Xhindoli i dënuar me 10 vite burg në Itali rezultonte i kërkuar nga Interpoli qysh prej vitit 2013, por ai vijonte punën në polici pa asnjë problem. Interpoli kishte dërguar një shkresë për arrestimin e tij, por ajo u mbajt e fshehtë nga zyrtarët shqiptarë. Pas arrestimit të komisarit të Policisë së Shtetit, Dritan Xhindoli Prokuroria ka nisur hetimet për fshehjen e kërkesë së Interpolit.
Sipas burimeve, Interpoli kërkonte zbulimin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar, Dritan Arjan Xhindoli, i cili ishte punësuar në Policinë e Shtetit. Por për 4 vite nuk u bë e mundur, madje nga i kërkuar ndërkombëtarisht Xhindoli ia doli të bëjë karrierë në Policinë e Shtetit, duke arritur të marrë gradën e lartë “Komisar” dhe të ishte kandidat për t’u graduar “Kryekomisar” .
Prokuroria ka nisur hetimet për shqyrtimin e të gjitha procedurave të ndjekura nga Interpol Tiranë-Interpol Italia, por dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Pasi ka dyshime të arsyeshme se procedura e fshehjes së urdhërarrestit ndërkombëtar të jetë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe po e njëjta dorë të ketë stimuluar emërimin e të dënuarit Xhindoli në funksione të rendësishme, ku më i fundit ishte ai i zëvendësdrejtorit të Kufirit në Vlorë.
Dritan Xhindoli u arrestua më 21 shtator, por lajmi u mbajt i fshehtë nga policia. “Më datë 21 shtator është bërë arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit D.XH., 39 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga zyra Qendrore e Interpol Tirana pasi Gjykata e Apelit në Bolonja, me vendimin Nr. 460/2013-R, dt.15.02.2013, e ka dënuar me 10 vite burg për veprat penale ‘Vjedhje’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’”, shkruhet në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit.