Ballina Politikë Rama “shet” si të vetat projektet e qeverisë “Berisha”

Rama “shet” si të vetat projektet e qeverisë “Berisha”

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka nxjerr blof kreun e qeverisë, Edi Rama, në lidhje me projektet e shitura në opinionin publik si arritje të qeverisë së tij. Berisha ka publikuar një foto për të argumentuar para shqiptarëve sesi Rama sërish po mashtron. Reagimi i Berishës erdhi pas mesazhit që kryeministri Rama publikoi dje herët në mëngjes në Facebook-un e tij me videon: “Me këto pamje fantastike të liqenit të Banjës dhe të rrugës së re Banjë-Gramsh, ju uroj një ditë të mbarë”. “Sot Rama mburret me ‘mashtrimin e Berishës’. Më 13 maj të vitit 2013, unë inaugurova fillimin e punimeve në Kaskadën e Devollit. Rama në atë kohë iu deklaroi qytetarëve në Gramsh se, ‘kjo ishte gënjeshtra e radhës e Berishës’. Ndërsa sot ai poston video dhe përshëndet shqiptarët me këtë ‘gënjeshtër’ të bërë realitet”, shkruan Berisha. Ndonëse qeveria aktuale ka hyrë në mandatin e saj të dytë, ekonomia shqiptare vazhdon të varet nga projektet e qeverisë së Sali Berishës. Instituti i Statistikave deklaroi se ekonomia shqiptare u zgjerua me 4.06 për qind në tremujorin e dytë të vitit, por sërish rritja e prodhimit erdhi kryesisht nga gazsjellësi Transadriatik, një projekt i kontraktuar nga qeveria e mëparshme e demokratëve. “Aktiviteti i ndërtimit pati rritje me 22,68%, influencuar kryesisht nga investimet private të lidhura me TAP, si edhe nga kompanitë që bëjnë vepra publike si rrugë, stadiume etj.”, deklaroi INSTAT. Ky është një rast i paprecedentë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë, kur një qeveri në mandatin e dytë të saj vazhdon t’u gëzohet nismave ekonomike të qeverisë paraardhëse, ndërkohë që nuk ka asnjë investim madhor të kontraktuar gjatë qeverisjes së saj tashmë 5-vjeçare.

Të gjitha investimet nga Berisha

Nga krahu i kërkesës pjesa kryesore e rritjes ekonomike po vjen nga investimet, kryesisht ato të huaja. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në harkun kohor të një viti, nga tremujori i dytë 2016 deri në fund të tremujorit të parë 2017, Shqipëria ka tërhequr në total 994.3 milionë euro investime të huaja. Por 70% e kësaj shifre, ose 691.3 milionë i përkasin gazsjellësit TAP dhe Kaskadës së Devollit, dy projekte të kontraktuara nga qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike. Qeveria aktuale e ka trumbetuar si një nga sukseset e saj më të mëdha rritjen e investimeve të huaja direkte. Por në fakt ky është sukses i qeverisë paraardhëse, ndërsa investimet e kontraktuara nga qeveria aktuale janë thuajse inekzistente. Sipas shifrave, nëse nuk do të ishte TAP dhe Kaskada e Devollit, investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare do të ishin vetëm 300 milionë euro në vit, një nivel i barabartë me atë të 15 viteve më parë.

Exit mobile version