Në xhepat e kujt shkojnë paratë e koncesioneve?

Janë me qindra milionë euro koncesione të dhëna nga Rama në katër vitet e qeverisjes së parë. Ndërkohë kontrata të reja koncesionesh janë duke u nënshkruar aktualisht. Përmes këtyre kontratave abuzive të shpërndara për klientët një pjesë e të ardhurave duhet domosdoshmërisht t’i kalojë shtetit. Po ku janë këto të ardhura? Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit qeveria ka dështuar në arkëtimin e tarifave koncesionare. Konkretisht, KLSH konstaton se qeveria ka dështuar në orientimin e sektorëve ku duhet të firmosë kontrata koncesionare të formës partneritet publik privat. Konstatimin Kontrollit i Lartë i Shtetit e ka bërë përmes një raporti, ndërsa ka evidentuar se deri më sot askush nga Këshilli i Ministrave apo Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka hartuar një plan strategjik se në cilët sektorë nevojitet bashkëpunimi me kompanitë private. “Strukturat e shtetit”, shprehet KLSH, “nuk punojnë me njëra-tjetrën për të identifikuar, publikuar dhe monitoruar kontrata koncesionare, edhe pse kjo fushë deri më sot ka qenë mjaft e debatuar”. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se agjencia e trajtimit të koncesioneve nuk ka bërë arkëtimin e tarifës që i takon buxhetit për disa kontrata të fituara. Institucioni rekomandon që të bëhet pasqyrimi i të ardhurave të munguara dhe të fillojë vjelja e pagesave. Auditi që KLSH ka bërë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit ka gjetur disa shkelje, të cilat kanë shkaktuar dëme financiare për buxhetin, që nga programimi i biletave të udhëtimit mbi fondin e miratuar me ligjin e buxhetit e deri te pagesat që punonjësit e këtij institucioni duhet të derdhnin për tatim-fitimin dhe sigurimet shoqërore si anëtare bordesh në kompanitë publike. Kontrolli i KLSH ka konstatuar shkelje edhe në menaxhimin e fondeve të reklamave nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe ajo e investimeve të huaja. “Në ofertat e disa operatorëve televizivë (të huaj) mungon dita dhe ora e transmetimit të spotit, çka bën të pamundur evidentimin e kostos së transmetimit të saj”, konkludon KLSH.

Dështimi i arkëtimit të taksës portuale në Durrës

Në dy vitet e fundit, Porti i Durrësit ka arkëtuar vetëm 700 mijë lekë nga taksa portuale. Ky nivel kaq minimal është i papranueshëm për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili ka rekomanduar ndryshimin menjëherë të nivelit të taksës që aplikojnë portet shqiptare. Në audimin e kryer në Portin e Durrësit gjatë këtij viti, KLSH vëren se niveli i kësaj takse është vetëm 1 euro që prej vitit 2008, megjithëse kanë ndryshuar raportet e njohjes së porteve detare të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të transportit detar ndërkombëtar dhe është rritur ndjeshëm numri i anijeve që trajtohen në këto porte (kryesisht Durrës, Vlorë, Shëngjin). Referuar kësaj takse dhe tarifave të aplikuara në vende të tjera dhe të rajonit, mbështetur dhe në një studim të realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, ka rezultuar se përveç taksës kombëtare portale, aplikohen dhe shumë tarifa të tjera të shërbimit dhe pilotimit të anijeve, të ardhura këto të konsiderueshme për autoritetet që i arkëtojnë këto tarifa. KLSH tërheq vëmendjen se Drejtoria e Portit Detar Durrës nuk ka marrë asnjë nismë për të propozuar rritjen e kësaj takse, megjithëse ka një studim mbi mundësitë e vendosjes së arkëtimeve të tarifave të reja për shërbime portale, që mund t’u aplikohen anijeve të lundrimit që prekin ujërat e Republikës së Shqipërisë. Këto të ardhura do të mund të mbulonin shpenzimet e funksionimit të këtij institucioni buxhetor po të funksiononte me vetëfinancim ose të ardhura për buxhetin e shtetit, konkludon në raport KLSH.

Abuzimet me tenderat nga ish-ministrja Milva Ekonomi

Një katrahurë të vërtetë abuzive dhe korruptive ka lënë pas ish-ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Milva Ekonomi. Pas një kontrolli të hollësishëm auditi që KLSH ka bërë në institucionin që drejtohej nga Milva Ekonomi ka gjetur shkelje të rënda, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare për buxhetin. Bëhet fjalë për një maskaradë financiare, që nga programimi i biletave të udhëtimit të zyrtarëve mbi fondin e miratuar me ligjin e buxhetit e deri te pagesat që punonjësit e këtij insititucioni duhet të derdhnin për tatim-fitimin dhe sigurimet shoqërore si anëtarë bordesh në kompanitë publike. Kontrolli i KLSH ka konstatuar shkelje të shumta, edhe në menaxhimin e fondeve të reklamave nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe ajo e investimeve të huaja. Sipas raportit, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve nuk ka bërë arkëtimin e tarifës që i takon buxhetit për disa kontrata të fituara. Institucioni rekomandon që të bëhet pasqyrimi i të ardhurave të munguara dhe të fillojë vjelja e pagesave. Mangësi të mëdha janë vërejtur edhe në kontratat simbolike 1 euro që janë lidhur me kompani të ndryshme. Nga auditimi konstatohet se në 7 raste është shpallur fitues subjekti i vetëm konkurrues, të cilët kanë deklaruar se do të kryejnë investime tepër minimale që variojnë nga 2.8 deri 31% të vlerës duke mos justifikuar dhe argumentuar në këtë mënyrë edhe çeljen e vendeve të reja të punës. Po ashtu qeveria ka dështuar në orientimin e sektorëve ku duhet të firmosë kontrata koncesionare të formës partneritet publik privat. “Strukturat e shtetit”, nuk punojnë me njëra-tjetrën për të identifikuar, publikuar dhe monitoruar kontrata koncesionare, edhe pse kjo fushë deri më sot ka qenë mjaft e debatuar”, përfundon KLSH.