Misteri i strategjisë detare të Kinës

Arthur Waldron

Pothuajse çdo ditë dëgjojmë lajme të përgatitjeve dhe aktiviteteve të ndryshme të ushtrisë kineze: një aeroplanmbajtëse të re, komunikimet kuantike apo fuqia ushtarake gjithmonë në rritje. Analistët seriozë, zakonisht e ngrejnë një pyetje të thjeshtë kur analizojnë zhvillime të tilla: cili është qëllimi i tyre?
Cila është strategjia dhe qëllimi madhor gjeopolitik që vizualizon vendi në fjalë pas çdo operacioni ushtarak të radhës? Në fund të fundit askush nuk ka ndërmend të pushtojë Kinën, ndaj mbrojtja nuk ka pse të jetë e këtij dimensioni të madh. A është duke menduar Kina seriozisht të pushtojë një vend tjetër? Me siguri, jo. Për më tepër, fqinjët e saj më të rëndësishëm tokësorë janë Rusia, Kazakistani dhe India.
Është pak të thuash se do të ishte pa kuptim që Kina të sulmonte një prej tyre, pasi do të ishte një lëvizje vetëshkatërruese. Për të arsyetuar këtë, mjafton të marrësh në konsideratë humbjen e madhe që i shkaktoi Kinës në vitin 1979 një vend i vogël si Vietnami me sipërfaqe shumë herë më të vogël se Gjermania dhe ky konflikt vazhdon akoma të sjellë pasoja. Për sa i përket strategjisë: Cila është politika ushtarake e Kinës? Ku ka ndërmend të arrijë?
Pyetjet në këtë kontekst mund të vazhdojnë pafundësisht, por me një analizë të thjeshtë, ndoshta edhe sipërfaqësore, arrin në të vetmen përgjigje të logjikshme: Kina kërkon të bëhet një vend “i jashtëzakonshëm” me çdo kusht. Por le të analizojmë për pak se çfarë do të thotë të jesh “i jashtëzakonshëm” për një shtet. Të renditesh në krye të listës së Freedom House për nivelin e demokracisë dhe lirisë? Të kesh normën më të ulët në botë të vdekjeve të foshnjeve? Të kesh nivelin më të ulët të ndotjes? Të kesh koeficientin më të barabartë Gini për shpërndarjen e pasurisë? Të kesh mjedisin më të bukur dhe më të pastër në botë? Numrin më të lartë të çmimeve Nobel dhe medaljeve olimpike? Të kesh numrin më të lartë të popullsisë së lumtur? Numrin më të lartë të bombave me hidrogjen?
Metrika që zgjedh në këtë rast për t’u krahasuar me vendet e tjera nuk ka asnjë rëndësi sepse sado i “jashtëzankonshëm” të jesh, do të renditesh me siguri keq në një prej listave të shumta të krahasimit. Për shembull, Shtetet e Bashkuara kanë një koeficient të dobët Gini dhe normë të lartë ndotjeje. Por qëllimi madhor i Kinës është të jetë e para në gjithçka. Kjo është ajo që kinezët dëshirojnë për shtetin dhe fëmijët e tyre, por kjo është e pamundur dhe tepër naive.
Ekzistojnë disa shkrime të njohura botërisht që duket se kanë influencuar së tepërmi politikën kineze në fushën ushtarake tokësore dhe detare. Puna e Alfred Thayer Mahan është përkthyer për herë të parë në gjuhën kineze gjatë shekullit 19, edhe pse në gjuhën japoneze dhe shumë gjuhë të tjera ishin përkthyer kohë më parë. Megjithatë këto janë shkrime që për qeverinë kineze kanë pasur rëndësi të veçantë për krijimin e politikës kombëtare.
Në vitin 1954 ka dalë botimi i parë i librit “Influenca e pushtetit detar mbi historinë” që në Perëndim është shfaqur që në vitin 1890. Këto studime kanë ndikuar së tepërmi në mënyrën se si shteti kinez shpenzon shuma të jashtëzakonshme në atë që ky shtet nuk ka poseduar kurrë më parë në histori: një flotë detare në det të hapur. Dyshohet se nuk janë veçanërisht të tërhequr nga specifika e teorisë së Mahan, por me nxitja të tilla si: “Jo përmes ndërmarrjes së operacioneve të mëdha ushtarake tokësore, por përmes kontrollit të detit dhe përmes detit botën jashtë Europës, Anglia arriti të sigurojë triumfin e vendit të saj”.
Një frazë si “kontrolli i detit dhe përmes detit, botën jashtë Europës” mund të duket si një politikë ose qëllim joshës për një vend ambicioz si Kina, e cila prej shekujsh me radhë ndjen se i është mohuar padrejtësisht statusi si superfuqi. Megjithatë kjo është një frazë e keqkuptuar. Mahan nuk thotë se pushteti në det mund të përdoret për të pushtuar botën, por se si mund të përdoret për të pushtuar një kundërshtar specifik.
Idetë që e bënë aq të famshëm ai i ka marrë gjatë Luftës së Paqësorit (1879-1883) kur qëndronte në Phoenix Club në Lima dhe filloi të lexonte rreth mënyrë se si Hannibal kishte sulmuar Romën duke kapërcyer Alpet dhe reflektonte mbi idenë se sa të lehtë do ta kishte pasur po të posedonte anije të mëdha luftarake në breg. Kjo e frymëzoi Mahanin të përdorë frazën “pushteti detar”, një frazë që në atë kohë nuk i njihej shumë rëndësia dhe nuk ishte përmendur kurrë më parë.
Si në Luftën e Napoleonit, ashtu edhe në Luftën e Dytë Punike, operacionet detare qenë kontribues direkt të humbjes së asaj që në fillim ishte kryesisht luftë tokësore. Duke marrë frymëzim nga historia dhe shkrimet e preferuara të Mahan, Kina mendon se marrja e kontrollit mbi detin mund të jetë një element, për të mos thënë elementi kyç, për përcaktim e saj si një vend i jashtëzakonshëm në të ardhmen.
Dyshohet në fakt se disa liderë kinezë, pasi kanë përftuar një njohje sipërfaqësore të teorive të Mahan, mendojnë se mund të realizojnë atë që në fakt nuk ka qenë tema kryesore e shkrimeve të tij: kontrolli i çështjeve globale përmes pushtetit detar. Një koncept i tillë nuk gjendet në asnjë vend në shkrimet e Mahan. Ai mendonte se kontrolli lokal i detit ishte i domosdoshëm përballë një kundërshtari të caktuar për të ngritur një bllokadë të padepërtueshme. Si mund të arrihet kjo, nuk shpjegohet në shkrimet e Mahan. Argumentet e tij në fakt nuk përfshijnë “teorinë e fitores”, madje thekson fakt se çdo shtet, sado i fuqishëm, në një pikë të caktuar mund të ketë një bllokadë të dobët përballë kundërshtarit. Kjo mund të jetë e vërtetë për shtetet e vogla, por nuk ka asnjë kuptim për superfuqitë si Kina, Rusia, India, Shtetet e Bashkuara etj.
E vërteta është që zgjerimi i influencës nuk mund të arrihet në ditët e sotme përmes pushtetit detar, por përmes aleancave të qëndrueshme të mbështetura nga forcat ushtarake të mëdha. E vërteta është që Kina nuk i jep rëndësi të veçantë aleancave të saj. Si mund të arrihet të ushtrohet hegjemoni e njëanshme mbi Azinë përmes detit, ashtu siç i paralajmërojnë kinezët fqinjët e tyre? Kjo është e pamundur.
Aeroplanmbajtësja amerikane “Reagan” do të vizitojë Gjirin Camh Ranh në Vietnam vitin e ardhshëm, jo përmes ushtrimit të dhunës apo paraqitjes së forcës, por përmes ftesës nga ana e qeverisë së Vietnamit. Një shtet mund të fillojë të pushtojë një tjetër përmes forcës detare apo forcës ajrore, por si mund të arrijë të dërgojë trupa të mjaftueshme atje me anije për të luftuar në tokë?
Një gjeneral kinez ka drejtuar një pyetje 2 mijë vite më parë: A mund të sundohet një shtet hipur mbi kalë apo në krye të një flote? Jo! Sipas një tjetër historie, kur gjermanët i pyetën përpara fillimit të Luftës së Parë Botërore se çfarë do të bënin sikur anglezët të zbarkonin anijet e tyre në bregun baltik, ata u përgjigjën: “Do të dërgonim xhandarmërinë dhe do t’i arrestonim të gjithë”.
Më shumë se çdo gjë tjetër, Mahan ka theksuar: “Kurrë nuk duhet të ndahet një flotë”. Kjo ka të bëjë kryesisht me strategjinë e mbrojtjes së një shteti, duke ditur se për shkak të kohës së udhëtimit, një flote i nevojiten dy muaj për të arritur një fitore. Kinezët duket se nuk e kanë lexuar këtë pjesë. Me përvetësimet e panumërta të bazave detare, për shembull, në Pakistan dhe ishujt koralorë të Detit të Kinës së Jugut, mbrojtja e territorit do të kërkojë detyrimisht ndarjen e flotës.
Nëse nëndetëset e huaja kërcënojnë me akses në një prej “stacioneve të qymyrit” të Kinës ose shkëmbinjtë e Detit të Jugut, shumë anije do të duhet të zhvendoseshin për t’u mbrojtur nga sulmi, gjë që nuk do të ishte aspak e lehtë për t’u bërë nëse marrim në konsideratë distancën e madhe që kanë këto territore me Kinën. E njëjta gjë ndodhi me nëndetëset amerikane që paralizuan japonezët në Paqësorin e Jugut, thjesht duke izoluar ishujt që kishin më shumë garnizone dhe duke i nxjerrë ato jashtë luftës.
Megjithatë, këto ishuj dhe porte ka shumë pak gjasa të jenë ndonjëherë fokus konflikti. Rusia, një fuqi detare me madhësi të konsiderueshme, nuk do ta tolerojë kurrë dominancën e Kinës në detet përreth Vladivostokut dhe Kamchatkas. Një luftë e filluar në det do të kthehej në një luftë tokësore që Kina nuk e fiton dot. Gadishulli korean rreth gjirin Bohai është e vetmja rrugë detare në Kinën Veriore. Më pas, le të mos harrojmë edhe Indinë, e cila është mëse e aftë të mbyllë ngushticën e Malaccas nga Andaman deri në ishujt Nicobar, duke rreshtuar anije dhe duke lënë të kalojnë vetëm ato që i drejtohen Kinës.
Por a po e neglizhon vërtet Kina pushtetin e saj tokësor? Për një periudhë kohe përpara Luftës së Parë Botërore, gjermanët shpenzuan shumë para në flotën e tyre të dështuar të krijuar për t’i bërë ballë rrezikut, një flotë e krijuar për të mbajtur Britaninë e Madhe larg duke kërcënuar forcën e saj detare, e cila ishte thelbësore për mbijetesën e ishullit. Nëse këto para do t’i kishin shpenzuar për ushtrinë, me siguri do ta kishin fituar luftën.
Në rastin e Kinës, asnjë prej katërmbëdhjetë vendeve të saj fqinje – përfshirë këtu edhe Pakistanin – nuk janë as të rrezikshme dhe as potencialisht të rrezikshme. Në këtë numër nuk përfshihen fuqitë përtej detit si Japonia, e cila ka burime të jashtëzakonshme. Pra, le të hamendësojmë se lufta shpërthen vërtet dhe siç ka parashikuar gjenerali kinez Liu Yazhou, një nacionalist i egër antiJaponisë, nëndetëset mashtruese të Japonisë e kanë fundosur flotën lindore brenda katër orëve. Kina në këtë rast do të ndihej e sulmuar dhe e turpëruar. Për të folur për pasojat politike brenda vendit nuk do të mjaftonte një muaj i tërë.
Marina e shkëlqyer e Singaporit kontrollon kanalin Phillip, pjesa më e ngushtë e Ngushticës së Malaccas, 1,5 milje e gjatë. Le të supozojmë se Kina, duke ndarë flotën e saj, do të dërgonte një forcë detare për të nënshtruar Singaporin me një sipërfaqe prej 2 mijë kilometra katrorësh. Nuk ka asnjë dyshim që Singapori do ta fundoste Kinën me lehtësinë më të madhe. Nëse këtë skenar e shumëfishojmë me të gjithë kundërshtarët që Kina imagjinon se mund të ketë, atëherë kemi në dorë një problem strategjik të pamundur për t’u zgjidhur.
Kur bëhet fjalë për destinaciome strategjike, mund të përdoret metafora e mëposhtme: Kina është një autobus, autobusi më i madh i historisë. Kina mban sipër më shumë pasagjerë nga ç’mund të mbajë çdo autobus tjetër në botë. Ecën më shpejt se çdo autobus tjetër. Në cilin drejtim? Drejt. Dikush ngrihet në këmbë dhe pyet shoferin: “Ku po shkojmë?” Shoferi i përgjigjet: “Nuk jam i sigurt, por teksa afrohemi më shumë, do ta kuptoj edhe unë”. Kjo është një strategji dhe politikë aspak e zgjuar dhe pa një vizion të qartë në mendje, por duket se është rruga që Kina është duke ndjekur për momentin.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI