Kryetari i Bashkisë së Hasit në trafikun e qenieve njerëzore

Kryetari i Bashkisë së Hasit është i përfshirë familjarisht në trafikun e qenieve njerëzore. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Hasi, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Sipas denoncuesit, kreu i bashkisë së Hasit, Adem Lala sëbashku me vëllezërit e tij merren me trafikimin e qenieve njerëzore nga Shqipëria në Britaninë e Madhe. “Kryetari siçilist i Bashkisë së Hasit i përfshirë familjarisht në trafikun e qenieve njerëzore! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha përshendetje, në fillim ju lutem për konfidencialitet të plotë të këtij mesazhi, sepse ushtroj një funksion publik. Një ndër problemet kryesore me të cilat po përballet Shqipëria janë edhe kërkesat e larta për azil në vendet e BE, dhe ikja nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe të qindra shqiptarëve, fakt ky i denoncuar nga mediat me prestigjioze disa herë. Por po të shkruaj këtë mesazh për të denoncuar një rast i cili deri më sot ka kaluar në heshtje të plotë edhe pse në dijeni të këtij janë çdo institucion ligjzbatues në zonën e Hasit.
Bëhet fjalë për vëllezërit e kryetarit të bashkisë Has, Adem Lala. Vëllezërit e tij, prej vitesh merren me trafikimin e qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, fakt ky që dihet nga çdo hasjan dhe është lehtësisht i vërtetueshëm. Por nuk përfundon me kaq. Paratë që marrin dy vëllezërit e kryetarit të Bashkise (12-14 mijë paund për një person) kalojnë pikërisht nga kryetari i bashkisë dhe nipi i tij, shofer personal i kryetarit (nuk po e përmendim nepotizmin në këtë rast, sepse ka dhjetëra raste të tjera në këtë bashki të tilla). Pra po ndodh në Has, bashkia më e varfër në vend, Kryetari Lala, detyron hasjanët, të cilët nga varfëria detyrohen t’i drejtohen vëllezërve të kryetarit për të gjetur shpëtim dhe për të ikur nga vendi, këto para qarkullojnë në këtë institucion lirshëm dhe pa kurrfarë kontrolli, kalojnë në llogaritë e kryetarit, nipit dhe vëllezërve të tij. Nuk po e bëj këtë denoncim për të treguar sa keq qeveris kryetari i bashkisë, por për të treguar se ai është kriminel, dhe për t’i bërë thirrje institucioneve të vihen menjëherë në lëvizje”, shkruan qytetari.