Dy shqiptarë kapen në Itali me 1 milion euro heroinë e kokainë

Policia italiane e qytetit të Bolonjës ka arrestuar dy shtetas shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës të tipit heroinë e armëmbajtje pa leje. Shqiptarët e arrestuar janë Indrit Baldiu, 28 vjeç e Shkëlqim Xhafa, 25 vjeç.
Në banesën e tyre janë gjetur 25 kg heroinë e pastër me vlerë tregu 1 milion euro, rreth 100 mijë euro e një pistoletë gjysmë automatike e tipit “Smith & Wesson” e kalibrit 45 me numër serie të fshirë e dy karikatorë me 16 fishekë.
Arrestimi i tyre është bërë gjatë një kontrolli rutinë të forcave policore nëpër rrugët e qytetit.
Ka qenë sjellja e dyshimtë dhe nervoze e shqiptarit Shkëlqim Xhafa që ka detyruar policët italianë në ndalimin e kontrollin e tij. Në një qese plastike që mbante në duar i janë gjetur 18 mijë euro.
Më pas në kontrollin në banesë ku jetonte së bashku me Indrit Baldiun, 28 vjeç, forcat e policisë kanë gjetur të fshehura rreth 25 kg heroinë që në shitje tregu do të sillte një përfitim prej më shumë se 1 milion euro. Gjithashtu në banesën e shqiptarëve janë sekuestruar dhe 100 mijë euro para të thata dhe instrumente për konfeksionimin e dozimin e drogës.
Dy shqiptarët Indrit Baldiu, 28 vjeç e Shkëlqim Xhafa, 25 vjeç janë emigrantë klandestinë në Itali e të paskeduar më parë nga Policia italiane. Ndaj dy shtetasve shqiptarë është lëshuar urdhri i arrestimit me burg.