Çfarë shkoi keq me Korenë e Veriut?

Arthur Waldron

 

Tani Korea e Veriut është e armatosur me raketa të rrezes së gjatë dhe armë termobërthamore. Kjo është situata e re normale. Penjani nuk ka për t’i dorëzuar kurrë ato dhe askush nuk mund ta detyrojë. Pasojat e këtij zhvillimi do të tranformojnë politikën globale dhe atë të sigurisë. Pritet pa dyshim shpërthimi i një vale të re përhapjeje bërthamore dhe gare ushtarake. Kështu dikush mund të pyesë: Duke pasur parasysh njohuritë që kemi për Korenë e Veriut, e lamë këtë të ndodhë? Mbi të gjitha, çfarë mund të bëjmë për të reduktuar në minimum kërcënimin e luftës?
Në vitin 1994, presidenti Bill Clinton foli për krijimin e “kornizës së marrëveshjes” me Penjanin që pretendonte se mund të zgjidhte problemin. “Korea e Veriut do të ngrijë dhe më pas do të asgjësojë të gjithë programin e saj bërthamor. Korea e Jugut dhe aleatët tanë të tjerë do të jenë të mbrojtur. E gjithë bota do të jetë më e sigurtë teksa ne do të ngadalësojmë përhapjen e armëve bërthamore”, tha Bill Clinton.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se siguria do të ruhej dhe se Shtetet e Bashkuara ishin mëse të vendosura për ta penguar programin bërthamor. Këto në Amerikë i quajnë “kërcënime boshe” dhe koha tregoi se të tilla ishin. Brenda gjashtë viteve, CIA kishte mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetonin vazhdimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Në vitin 2006, Penjani zhvilloi testin e parë bërthamor. “Ekspertët” theksuan se Korea e Veriut e kishte të pamundur që e vetme të zhvillonte sistemet e nevojshme për të rritur arsenalin në dispozicion. Atëherë u tha se vetëm në vitin 2020 mund të arrijë vërtet Korea e Veriut të përbëjë rrezik domethënës.
Çfarë shkoi keq? Natyrisht bëhet fjalë për dështime të njëpasnjëshme të inteligjencës. Kjo ishte paaftësia për të imagjinuar atë që mund të ndodhte, një dështim i politikës që pretendonte të përdorte negociata dhe inçentivat për të bindur Penjanin të luante sipas rregullave të lojës. Më e rëndëisishme ishte paaftësia për të marrë në konsideratë leksionet e historisë.
Në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e Hitlerit, rangjet më të larta të ushtrisë dhe aparatit të sigurisë përmbanin shumë njerëz që e kundërshtonin luftën. Ata kishin në plan të zhvillonin një grusht nëse Hitleri pushtonte Çekosllovakinë. Kur planet e çekëve iu bënë të njohura ushtrisë, gjenerali Beck dhe delegatë të tjerë u dërguan në Londër dhe Paris. Nga ana e tij, kryeministri britanik, Neville Chamberlain dhe presidenti francez, Édouard Daladier arritën një marrëveshje me Hitlerin në Mynih në shtator 1938 duke sakrifikuar Çekosllovakinë dhe duke shkatërruar të gjithë planin. U bënë edhe plane të tjera, por ky ndoshta ishte rasti i vetëm.
Të arrije në Çekosllovaki do të thoshte të kaloje male të tëra dhe me municionet e famshme të Skoda Works, ushtria mjaft eficente çeke mund ta kishte thyer ushtrinë e Hitlerit. Me pak fjalë, ia vlente të provohej. Qeveritë britanike dhe franceze duhet të kishin reaguar me pozitivitet, por u frikësuan dhe u joshën nga ideja imagjinare e paqes përmes marrëveshjes me Hitlerin, me pak fjalë, duke e lënë atë të pushtojë shtete të tjera përveç tyre.
Leksioni historik në këtë rast është se zjarret e mëdhenj shpesh ndizen nga shkrepse të vjetra që duket se nuk bëjnë flakë. Në gjuhën gjeopolitike do të thotë se forca ose kërcënimi i përdorimit të forcës duhet të përdoren menjëherë sapo identifikohet kërcënimi. Njerëzit e civilizuar e vendosin forcën të fundit në listë pas bisedimeve, negociatave, inçentivave dhe embargove, të cilat nuk funksionojnë kur një shtet e ka vënë veten në rrugën e luftës. Ndoshta Lufta e Dytë Botërore mund të ishte parandaluar që në vitin 1938, por atë ditë Gjermania kuptoi se aleancat mund të prisheshin dhe se lufta mund të çohej deri në fundin më të përgjakur.
Po kështu, Korea e Veriut mund të ishte frenuar që vitin 1994 përmes kërcënimeve ushtarake apo operacioneve sulmuese kundër programit bërthamor, por administrata e atëhershme humbi kohë në mënyrën më naive. Askush nuk pati guximin të tregonte se sa serioze ishte situata dhe sa mund të përkeqësohej.
Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara ruanin edhe iluzione të mëdha në lidhje me bashkëpunimin e Pekinit për këtë çështje. Në fakt, një vit pas fjalimit të Clintonit, qeveria e Kinës bëri tentativën e parë për të nisur ekspansionin e saj territorial më të madh edhe se Rajhu i Tretë, me aneksimin e barrierës Mischief të Filipineve. Kështu ka ndodhur edhe më parë, nëse aleatët do të ishin përgatitur për të luftuar për Çekosllovakinë, Hitleri nuk do të kishte fituar famën e të pamposhturit që e shfrytëzoi me aq zgjuarsi gjatë fushatave të tij.
Tani, bota përballet me një situatë po aq të rrezikshme. Korea e Jugut dhe Japonia do të bëhen së shpejti fuqi me kapacitet të plotë bërthamor. Lufta ekzistuese e armatimeve në Azinë Lindore do të kalojë përmes Indisë, drejt kufijve të Rusisë, duke kërcënuar kështu Europën. Nuk ekziston më asnjë zgjidhje përveç shfaqjes së forcës. Mirë se vini në epokën përpara luftës!

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI