Basha me FMN: Droga dhe bandat po kriminalizojnë ekonominë

Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anita Thuludhar dhe përfaqësuesi i përhershëm i FMN në Tiranë, Jens Reinke kanë diskutuar me kryetarin e PD, Basha mbi problemet ekonomike që po kalon vendi dhe pasojat që po shkakton keqqeverisja Rama.
Në një takim të zhvilluar me krerët e lartë të FMN në selinë e PD, ata janë njohur nga kryetari Basha mbi fenomenet që kanë çuar në greminë ekonominë shqiptare. Basha u ka shprehur shqetësimin drejtuesve të FMN se si droga dhe bandat janë fuqizuar në vend dhe përbëjnë një kërcënim real për ekonominë, financat ashtu si edhe investimet në vend. Droga dhe krimi i organizuar janë kthyer në një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe po kriminalizojnë me shpejtësi segmente të caktuara të ekonomisë dhe financave të vendit.
Kryetari i opozitës theksoi se, Partia Demokratike do të vazhdojë të propozojë zgjidhje konkrete dhe mbetet e vendosur për të denoncuar aferat korruptive. Basha falënderoi FMN-në për bashkëpunimin dhe i informoi në lidhje me raportin e OSBE-ODIHR. Ai deklaroi se, “blerja e votës, përdorimi i burimeve publike, presioni mbi votuesit fatkeqësisht vazhdojnë dhe mbeten problemet kryesore që shoqëruan procesin zgjedhor”.
Inkriminimi i pushtetit, lidhjet me bandat dhe trafikun e drogës, korrupsioni me tenderat e koncesionet kanë bërë që ashtu si mijëra shqiptarë edhe sipërmarrës e investitorë të huaj të largohen nga Shqipëria. “Kjo krizë në këtë fillim të legjislaturës shoqërohet dhe nga shqetësimet për situatën ekonomike ku niveli i lartë i borxhit, në 71% të PBB së bashku me nivelet e ulëta të mbledhjes së të ardhurave, janë duke ndikuar në të gjithë treguesit e tjerë ekonomikë.
Papunësia ndër të rinjtë vazhdon të mbetet e lartë dhe biznesi ka tkurrur veprimtarinë e tij duke mos marrë vendime për zgjerim. Kjo, e shoqëruar me një nivel shumë të ulët të investimeve të huaja, bëjnë të mundur që sektori privat të mos jetë më punëdhënës me kërkesë të lartë. Numri i të larguarve nga Shqipëria prej rreth 270 000 vetësh është treguesi kryesor që ekonomia po lëngon dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë perspektivë pozitive në horizont. Politikat e ngrirjes së pagave dhe rritjes së ulët të pensioneve kanë shkaktuar në rastin më të mirë mosngritje të fuqisë blerëse dhe një pjesë e madhe e personave me të ardhura të ulëta kanë vërejtur ulje të konsumit”, u shpreh kreu i PD gjatë takimit.
“Qeveria ka dështuar me investimet publike, ku akse kryesore sot janë akoma të papërfunduara dhe niveli i tyre është në minimumin historik të 10 viteve të fundit. Në këtë klimë vjen dhe fushata kundër informalitetit e qeverisë, e cila në të shkuarën ka sjellë shqetësime të mëdha tek bizneset. Kjo fushatë do të jetë e drejtuar ndaj tatimpaguesve biznese të vogla dhe do të vazhdojë të lejojë abuzuesit e mëdhenj që operojnë me mbështetjen e qeverisë”, u shpreh kreu i PD.
Thuludhar dhe Reinke kanë shprehur vlerësimet e tyre për rolin e opozitës në mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë gjatë katër viteve të shkuara, në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike.