Trump, ulje historike taksash, do t’i shtojë arkës 2.2 trilionë dollarë

Presidenti Donald Trump po promovon një plan republikan për reformimin e sistemit të taksave. Ai thotë se plani i ri do të lehtësojë nga taksat e rënda klasën e mesme amerikane dhe korporatat.
Presidenti Donald Trump zbuloi disa nga detajet e planit përpara një turme entuziaste në Indianapolis, të shtetit Indiana.
“Po eliminojmë disa ulje taksash prej të cilave deri më tani përfitojnë kryesisht më të pasurit. Po i japim gjithashtu Kongresit fleksibilitetin që të vendosë një taksë më të lartë për më të pasurit, në mënyrë që të përfitojnë njerëzit e punës. Gjithashtu, po e thjeshtëzojmë sistemin e taksave, duke e bërë atë të drejtë dhe të lehtë për t’u kuptuar”, tha Presidenti Donald Trump.
Presidenti Trump shtoi se ulja e taksave për korporatat do të tërheqë investime të huaja. Ai thotë se sipas sistemit të tanishëm, shumë kompani të huaja e shmangin biznesin në Amerikë për shkak të taksave të larta.
Presidenti nuk sqaroi se me cilat fonde do të mundësohet ky shkurtim i taksave. Sipas organizatës jopartiake Komiteti për një Buxhet të Përgjegjshëm Federal, reforma e taksave mund t’i shtojë 2.2 trilionë dollarë borxhit kombëtar amerikan gjatë 10 viteve të ardhshme.