Si ndryshon ligji për përmbaruesit

Në kuadër të paketës që rishikon gjithë kuadrin ligjor të lidhur me sistemin e drejtësisë janë bërë edhe përmirësime tek ligjet specifike që kanë shfaqur ngërçe në zbatim. Një prej tyre duket se është ai “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Sipas relacionit që shoqëron ndryshimet janë disa arsyet që kanë çuar në këtë hap.
“Analiza e Sistemit të Drejtësisë evidenton se ka mangësi në shërbimin përmbarimor shtetëror dhe privat, zgjatje të pajustifikuara në ekzekutimin e titujve ekzekutivë, mungesë transparencë dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrave, si dhe vonesa të mëdha në ekzekutim. Veprimtaria e përmbaruesve gjyqësorë nuk karakterizohet më së shumti nga profesionalizmi dhe paanshmëria në procesin e ekzekutimit të titujve të detyrueshëm”, thuhet në relacion.

Projektligji i ri

Një nga nenet me të rëndësishme që ndryshon në ligj lidhet me llogarinë e veçantë të përmbaruesit, duke i shërbyer transparencës, por edhe rritjes së eficencës përgjatë procesit të ekzekutimit të vendimeve të gjyqësorit. Në draft parashikohet se paratë nga debitori tek kreditori duhet të kalojnë brenda 10 ditëve. Pjesa që lidhet me llogarinë e veçantë sanksionohet në 9 pika, por më poshtë po rendisim katër më të rëndësishmet.
Llogaria bankare e veçantë për procedurat e ekzekutimit, shënohet në çdo akt të veprimit procedural dhe deklarohet në fillim të aktivitetit sipas kërkesave të parashikuara.
Nëse një ose disa përmbarues gjyqësorë privatë të organizuar në shoqëri tregtare, përdorin një ose disa llogari të rregullta për aktivitetin e shoqërisë përmbaruese private, llogaria e veçantë për procedurat e ekzekutimit deklarohet dhe mban emrat e përbashkët të të gjithë përmbaruesve gjyqësorë privatë të punësuar, ortak, aksionar apo administrator i shoqërisë.
Përmbaruesi gjyqësor transferon shumat nga llogaria bankare e veçantë, për në llogarinë e kreditorit, brenda ditës së dhjetë të vijimit të punës, pas kryerjes së ekzekutimit përmbarues, kur janë përftuar shuma prej procesit përmbarimor dhe/ose prej sekuestrimit të llogarisë së debitorit apo palëve të lidhura me të.
Nëse detyrimi në të holla është paguar në një llogari tjetër të rregullt dhe/ose është paguar direkt te përmbaruesi gjyqësor privat apo në llogarinë e veçantë kanë kaluar gabimisht të holla që nuk lidhen me veprimin përmbarues, përmbaruesi gjyqësor privat do të transferojë këtë shumë brenda dhjetë ditëve të marrjes dijeni.

Kontrolli ndaj përmbaruesve

Drafti duket se parashikon edhe zgjerimin e mundësive të kontrollit të institucioneve shtetërore si Ministria e Drejtësisë ndaj përmbaruesve. Në nenin 49 sanksionohet se çdo përmbarues duhet të raportojë në bazë tremujore. Por vetë ministria mund të nisë një kontroll nëse ka dyshime ose me kërkesë të palëve të interesuara. Në çdo rast, Ministria e Drejtësisë ka si detyrim të kalojë në “sitë” një herë në tre vjet çdo përmbarues gjyqësor.