Politikanë të përgjuar për lidhjet me krimin

6 raporte të Shërbimit Sekret i janë dërguar ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministrit aktual, Fatmir Xhafa, ku janë denoncuar emrat e drejtuesve të lartë të policisë të përfshirë në krimin e organizuar dhe veçanërisht në trafikun e drogës. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” se bëhet fjalë për emra drejtuesish policie nga Vlora e deri në Tiranë. Gazetarja deklaroi se emri i një zyrtari të lartë të policisë konfirmohet në të 6 raportet.
Ajo tregoi se brenda Policisë së Shtetit, ekzistojnë dy klane të fuqishme kriminale, që zhvillojnë një luftë të egër mes tyre. “Duke pasur konflikte të kësaj natyre, emrat e politikanëve mbeten pezull në dosjet hetimore. Megjithatë ka biseda të përgjuara publike që i lidhin ata direkt me eksponentë të krimit”, deklaroi Lala.
Po ashtu Lala deklaroi se, ekzistojnë disa përgjime që lidhin emra të njohur të politikës me eksponentë të rrezikshëm të krimit. Lala tha se pavarësisht provave jo të plota që zotërohen, në disa dosje dalin emra të disa politikanëve të rëndësishëm, megjithatë hetimet kanë mbetur vetëm në këtë fazë, pa shkuar më tej. “Ka një sërë përgjimesh dhe prej kohësh në disa nga dosjet dalin emra të disa politikanëve të rëndësishëm. Por hetimet kanë mbetur në këtë fazë, pasi nuk ka prova të tjera që i lidhin drejtpërdrejt me këtë histori. Me sa duket, janë ca përgjime sporadike që mbesin në këtë fazë dhe është tepër e vështirë për Prokurorinë për shkak edhe të konfliktit që ka me Policinë, por edhe për shkak të tensionit politik. Si dhe të luftës brenda llojit, pra, brenda Policisë së Shtetit ka klane të fuqishme kriminale që luftojnë njëri-tjetrin. Po të shihet e gjithë kjo situatë, vihet re, një grup policor që lufton një grup tjetër. Duke pasur konflikte të kësaj natyre, emrat e politikanëve mbeten pezull në dosjet hetimore. Por ende nuk ka prova dhe fakte konkrete. Megjithatë, ka biseda të përgjuara publike që i lidhin ata direkt me eksponentë të krimit”, u shpreh ajo.

Policia ka fikur të gjitha kamerat në atentatet e Elbasanit

Gazetarja ka bërë publik një fakt tjetër skandaloz, sipas të cilit, policia ka fikur të gjitha kamerat e ambjenteve rreth të cilave kanë kryer katër atentate dhe masakrës ndaj familjes Çapja në Elbasan. Lala deklaroi se, në të katër ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit, të gjitha kamerat e sigurisë, si ato në varësi të Policisë së Shërbimit Rrugor, si ato në varësi të Bashkisë kanë rezultuar të fikura. Lala theksoi se, Prokuroria e asaj kohe, ka pasur dyshime të forta lidhur me një tjetër grup kriminal të fuqishëm, i cili vepronte në zonën e Mirditës dhe të Shkodrës, ku krerët e këtij grupi janë të vendosur në Spanjë dhe Holandë, por lidhjet e fuqishme me politikën kanë bërë të pamundur kapjen e tyre.
“Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë treguar se të gjitha kamerat e sigurisë jo vetëm ato që janë në varësi të Policisë së Shërbimit Rrugor, por edhe ato që janë në varësi të Bashkisë kanë rezultuar të fikuara, në të katër ngjarjet e ndodhura në qytetin e Elbasanit. Është evident fakti, që kamerat janë të fikura edhe në ngjarjen e shkurtit të vitit 2015, ku pati një masakër ndaj pjesëtarëve të familjes Çapja. Ajo që bën përshtypje është fakti se Prokuroria e asaj kohe, ka pasur një dyshim të fortë lidhur me një tjetër grup kriminal të fuqishëm, i cili vepronte në zonën e Mirditës dhe të Shkodrës, ku krerët e këtij grupi janë të vendosur në Spanjë dhe Holandë dhe që luajnë të gjitha fijet e trafikut të kokainës dhe heroinës, por për asnjë moment askush nga ata nuk është vënë në përgjim. E gjithë kjo duket si një qark i mbyllur, por që të gjitha ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën”, u shpreh gazetarja.

Video vërteton lidhjen e bandave me politikën

Ish-ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj komentoi në emisionin “Opinion” edhe videon e sulmit të makinës së policisë. Sipas Demirajt, veprimi i policisë në video është i pajustifikueshëm, pasi asnjë prej tyre nuk guxoi të ndiqte pas autorin, gjë që vërteton edhe njëherë lidhjen e bandave me politikën.
Ai vijoi më tutje duke u shprehur se është skandaloze deklarata e policisë se, nuk u lejuan nga rojet të futeshin brenda, pasi tregohet më së miri pafuqishmëria e policisë ndaj krimit. Kjo sipas Demirajt, personat e fshehur pas objektit në video, kanë mbështetje politike.

Pse s’arrestohet autori i ‘Audit’ që sulmoi policinë në Elbasan

Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, ka thirrur dje në takim dy prokurorët e çështjes, si dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit për sulmin që iu bë makinës së nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit më 18 shtator. Bëhet e ditur se në takim janë analizuar veprimet e deritanishme hetimore dhe masat e tjera të nevojshme.
Takimi në Prokurori për masa të tjera të nevojshme që mund t’i duhen hetimeve, konfirmon se grupi hetimor ka mbledhur prova të reja që identifikojnë personin që ishte në mjetin “Audi” të blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
Pas publikimit të pamjeve filmike të sulmit ndaj makinës së nëndrejtorit të Policisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për ngjarjen e Elbasanit, duke arritur në përfundimin se çështja është kompetencë e organit të akuzës në Elbasan. Krimet e Rënda rrëzuan akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të mbetur në tentativë.
Prokuroria ka krijuar bindje se nuk ka pasur sulm të drejtpërdrejt të forcave blu, ku makina e zv/drejtorit të Policisë së këtij Qarku, Gjergji Oshafi u godit nga një “Audi A8” e blinduar. Pavarësisht se fillimisht vepra u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, kjo gjë u rrëzua poshtë pas publikimit të pamjeve filmike.
E gjithë skena zhvillohet përpara Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela. Për Prokurorinë, në momentin që nisen makinat e policisë për të çuar në komisariat Klement Xhaferrin, “Audi” vjen me forcë për të hyrë në Tregun Ushqimor. Siç dukej në pamje, “Audi” godet makinën e policisë. Burime nga organi i akuzës pohuan se, nga ky incident efektivëve nuk ju është kërcënuar jeta, pasi ata ndodheshin në distancë nga vendi i ngjarjes dhe një pjesë e tyre ishin brenda në furgonin e Forcave Speciale “Shqiponja”. Por një ndër akuzat që mund të kualifikohet kjo vepër është, mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë dhe largimi nga vendi i ngjarjes, kompetencë kjo që e hetojnë prokuroritë e rretheve dhe jo ajo e Krimeve të Rënda. Ndonëse autori është identifikuar edhe nga Prokuroria, kjo e fundit ende nuk ka lëshuar urdhër-arresti ndaj tij.
Një verifikim po kryhet edhe për oficerët e policisë, të cilët kanë qenë në aksion natën e ngjarjes, pasi nuk kanë reaguar kur mjeti i blinduar ka hyrë në treg. Ndonëse personi që drejtonte “Audin” që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë është identifikuar, policia nuk e arreston. Të gjithë në Elbasan e dinë se autori është Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, por policia nuk guxon as t’i përmendë emrin. Një ditë më parë avokati i Ramës, Eno Bushi, në emër të biznesmenit Petrit Çela, kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës ka paditur të gjithë zinxhirin e policisë që ndodheshin në operacion mbrëmjen e 18 shtatorit për dëshmi të rreme. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon, se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim, vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit. Biznesmeni Petrit Çela është i njohur për miqësinë që ka me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini.
Në ngjarjen e 18 shtatorit, automjeti i zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi, u godit nga një makinë e blinduar në momentin që po shoqëroheshin 3 persona në komisariat. Emri i drejtuesit të mjetit nuk bëhet i ditur ende nga policia edhe pse e kanë identifikuar se kush ka qenë në drejtimin e tij. Prokuroria ka të arrestuar për këtë ngjarje tre persona. Ledio Zabeli dhe Valmir Dedja ndodhen në burg, ndërsa Kelmend Xhaferri në arrest shtëpie.

Pse policia u bë pishman për ndjekjen e ‘Range Rover’?!

Gazetari Artan Hoxha, ka bërë një analizë të detajuar mbi atë se çfarë ka ndodhur në Tregun Ushqimor në Elbasan, ku ka zbuluar dhe disa detaje të reja. “Përmes një analize, ai shpjegon arsyet se përse Policia e Elbasanit u bë shumë shpejt pishman se pse i ishte vënë nga pas një makine “Range Rover”. “E mbani mend atë videon e 18 shtatorit me “Audi”-n e blinduar në Elbasan, dhe policinë që e kishte derën e tregut hapur dhe nuk e kalonte pragun se mos shkelte vijën ndarëse mes izraelitëve dhe palestinezëve në Jeruzalem?! Nga ajo mbrëmje deri sot kanë kaluar plot 10 ditë. Po në të vërtetë çfarë ka ndodhur këto 10 ditë në Elbasan?!
Policia, sigurisht është bërë pishman që iu sul atij “Range Rover”-it nga pas. Sot do ishte mirë e bukur në hallin e vet. Nuk është arrestuar as autori, as shefat e tij, as mbrojtësit e tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda që bëri gjithë atë zhurmë, pasi e mori dosjen në dorë, e pa që ishte “patate” shumë e nxehtë dhe ia delegoi për moskompetencë Prokurorisë së Elbasanit. Prokuroria e Elbasanit që është përgjegjëse po aq sa policia për të vrarët e grupeve kriminale në qytet, i bëri një pyetje vetes! Kur nuk guxojnë ta hetojnë këtë çështje ata të Krimeve të Rënda nga Tirana që janë më të mbrojtur nga shteti, si ta hetojmë ne këtu që jemi në mes të luftës?!”, deklaroi Hoxha.
Ai tha më tej se, për këtë ngjarje është arrestuar vetëm roja i Tregut Ushqimor. “Pas 10 ditë hetimesh i vetmi i arrestuar VIP i kësaj historie është vetëm Valmir Dedja 44 vjeç, roja i Tregut Ushqimor. Nga pamjet në video, i vetmi njeri korrekt aty që ka bërë vetëm detyrën është roja. E kanë urdhëruar punëdhënësit hap derën, ka hapur derën. I kanë thënë, mbylle derën! E ka mbyllur. I kanë thënë, mos e hap derën! Nuk e ka hapur…Ç’të bënte më Valmir mavriu. Mban fëmijët me bukë me atë punë. Por në fund edhe pse është më i pafajshmi në atë histori, pikërisht atë e kanë futur në kokërr të burgut. Akuza zyrtare për të është: “ka kundërshtuar urdhërin e punonjësit të Policisë, duke mos lejuar hapjen e derës së tregut. Ndaj tij, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 236, 242, 302 të Kodit Penal”…
Besoj jam i qartë. I vetmi bos krimi i kapur deri tani nga lufta e përgjakshme për kontrollin e Elbasanit, është Valmir ditëziu, roja i Tregut Ushqimor që bëri detyrën si roje. Hajde qerrata shtet hajde! Nuk thonë kot se shteti e kap lepurin me qerre. Po kap lepurin që është në këmbë ama, se ujqërit me “Audi A8” të blinduar, e marrin shtetin zvarrë me gjithë qerre e fuoristradë bashkë”, përfundoi gazetari Hoxha.